BEOGRAD- Biznesmeni i pasurive të paluajtshme Mohamed Alabbar ka iniciuar shitjen e aseteve të pronave që ai zotëron në Bjellorusi, një vend i shënjestruar nga sanksionet perëndimore, e tani ka gjetur një partner; Jared Kushner! Reuters shkruan se ai ka kërkuar që të investojë me amerikanin në Serbi. Manjati i pasurive të patundshme në Emiratet e Bashkuara Arabe ka arritur një marrëveshje paraprake për të shitur aksionet e tij në pronën miliarda dollarëshe që po zhvillonte në Minsk përmes mjetit të tij “Symphony Global Holdings”.
Tani ka në plan që bashkë me Kushner, dhëndrin e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të rivitalizojë një ndërtesë të selisë së ushtrisë jugosllave në Serbi për ta kthyer në një kompleks rezidencial. Ky do të jetë bashkëpunimi i tyre i parë. I kontaktuar nga Reuters, Alabbar nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me identitetin e blerësit të mundshëm dhe as të diskutojë arsyet e vendimit për të shitur asetet në Minsk.
Lidhur me Serbinë, miliarderi tha se ai “i shikonte bashkëpunimet me Kushnerin pozite” dhe ishte “shumë i emocionuar”. Po ai nuk dha detaje se çfarë do të përfshinte partneriteti. Kushner i tha Reuters muajin e kaluar se ishte në bisedime për të investuar në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, por theksoi se marrëveshja ishte në negociatë e sipër dhe mund të mos ndodhte.
Planet e Kushnerit për të investuar në Serbi u zbuluan në mes të marsit kur një ligjvënës i opozitës, Aleksandar Jovanoviç, publikoi dokumente që tregonin se autoritetet serbe kishin përgatitur terrenin për një partneritet me biznesmenin amerikan. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, konfirmoi se një partneritet ishte në diskutim. I pyetur nga Reuters muajin e kaluar nëse projekti i Beogradit ishte më i thjeshtë për t’u arrirë nga lidhjet që ai bëri gjatë kohës së tij si këshilltar i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, Kushner tha: Askush nuk po më ‘më jep’ marrëveshje speciale.
Si në Serbi, Kushner ka në plan të investojë edhe në ishullin e Sazanit, por deri më tani, nuk ka asnjë raportim se edhe në këtë investim do të ketë nevojë për partneritetin e Alabbar