Aktori i humorit, Florjan Binaj ka qenë i ftuar së fundmi në “A Krasta show”, ku ka folur mbi problematikat që sheh në vendin tonë dhe politikën.

A ka menduar të largohet nga Shqipëria?

“Kush tha që jo. E kam menduar disa herë, e kam pasur një mundësi në vitin 2004, fitova të drejtën e studimit në një universitet italian, bëra provimin e gjuhës dhe e fitova. Por në atë kohë sa kisha filluar në “Portokalli” dhe bëra disa llogaritje dhe vendosa të rri. Ne të gjithë kemi miq e shokë që po ikin çdo vit. Mua më ikin 3-4 shokë, dhe nuk është se janë në punë të këqija dhe fitojnë pak. Por është ajo që fitojnë këtu nuk ka më vlerë mbrapa, ajo që iu mësojnë fëmijëve nuk është i njëjti rregull që funksionon jashtë. Më së shumti ikin për fëmijët. Nuk është se fitojnë më shumë, por ndihen të vlerësuar”, tha Flori.

A do t’i hyjë politikës?

“Hyrjen në politikë e shoh diçka shumë të largët. Këtyre që janë në politikë iu duhet një Ctrl z sepse kanë pasur mundësi 32 vite për t’ia dalë dhe nuk kanë mundur. Në shkollë nëse katër vjet nuk ia del të përzënë. Ne i sjellim dhe fusim prapë. Duhet një frymë e re me djem dhe vajza të tjera që ta bëjnë këtë gjë.  Jo këta që janë. Për sa i përket pengut, kam shumë projekte për të ardhmen. Për mua suksesi më i madh është familja”, u përgjigj aktori.