Një i punësuar me pagë ë Shqipëri mesatarisht punoi 43.7 orë në javë në vitin 2022, nga 43.3 orë vitin e mëparshëm, sipas të dhënave që janë bërë publike nga INSTAT.
Të dhënat e tjera të Euostat, që matin orët e punës për shtetet e Europës dhe disa vende të tjera të rajonit bëjnë të ditur se punonjësit shqiptarë kanë orët e punës më të gjata në Europë, së bashku me vende të tjera të rajonit.
Sipas Eurostat, një europian punoi mesatarisht 37.5 orë në javë në vitin 2022, ose 6.2 orë më pak (pothuajse një ditë pune), sesa një shqiptar.
Pas shqiptarëve, më gjatë punojnë serbët me 43.3 orë. Për Maqedoninë e Veriut të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2020, ku mesatarja ishte 40.9 orë.
Sipas Eurostat, në vitin 2022, java e zakonshme e punës për personat e moshës 20-64 vjeç në BE ishte mesatarisht 37.5 orë. Eurostat thekson se janë të dukshme dallime të rëndësishme midis vendeve të BE-së. Javët më të gjata të punës u regjistruan në Greqi (41.0 orë), Poloni (40.4), Rumani dhe Bullgari (40.2 të dyja). Në të kundërt, Holanda kishte javën më të shkurtër të punës (33.2 orë), e ndjekur nga Gjermania (35.3) dhe Danimarka (35.4).
Femrat në Shqipëri punojnë 7.8 orë më shumë se në Bashkimin Europian
Në Shqipëri, sipas INSTAT, meshkujt punojnë mesatarisht 44.8 orë pune në javë dhe femrat 42.5 orë.
Diferenca më e lartë mes orëve të punës mes të punësuarve në Shqipëri dhe atyre në Bashkimin Europian është tek femrat. Gratë në Europë duket se janë më të privilegjuara se ato në Shqipëri, teksa punojnë më pak orë dhe si rrjedhojë kanë më shumë kohë të lirë që të merren me familjet e fëmijët./Monitor
Artikulli i plotë këtu.