Nga Rezarta Çaushaj
Në tetor-nëntor 2021, Top Channel përndoqi Samir Manen, shkruajti rregullisht kundër tij, bëri emisione, ftoi zëra që kanë ngritur zërin ndaj ndikimit abuziv të Manes në qeveri,si aktivist të Organizatës Politike, mua, të tjerë.
Një klip i fjalës sime në protestën e parë të rritjes së çmimeve u nda nga TCH dhe mori shikime e komente rekord.
Më gjeti pa përgatitur dhe në kontekstin e censurës nga shumë media, m’u desh një javë të kuptoja pse.
Gjatë asaj një jave, Topi publikonte ditë për ditë nga një shkrim, lajm ose emision.
Kjo, pasi Mane kishte tërhequr reklamat – të cilat, në çdo rast i alokon si qoka sepse nuk ua ka nevojën.
Nga kampi Mane kishin frikë se mos mbas sulmeve kishte një dorë të fshehtë edhe Kastrati.
Burime të tjera më pohuan se Ben Blushi ato kohë po përpiqej të rinegocionte kontratën me Topin, që ishte në përfundim, duke i bërë presion ish-mikut të ngushtë.
Personalisht, pasi i rashë lojës në të, nuk u paraqita më në emisione.
Vendosa të ndjek fatin e videove të mia, të cilat isha e bindur nuk do ta kishin jetën e gjatë. Dhe ashtu ndodhi!
Në janar, Blushi ishte zëvendësuar me Ballën, ose ndoshta edhe sakrifikuar nga TCH për hir të rifitimit të raportit me Samir Manen.
Reklamat rifilluan dhe videot e mia (URL e të cilave i gjeni në komente) kaluan në video private.
Sot raporti TCH-Mane është shëndoshur mirë dhe kulmoi me një intervistë promovimi mediokre një ditë më parë, ku pikat që duheshin theksuar ishin:
1. Mane është ndër investitorët më të mëdhenj në vend.
2. Ai ka bërë pushime me bukë në trastë, si t’gjithë gjatë komunizmit.
3. Ai ka bërë rrugë të gjatë në këmbë si t’gjithë gjatë komunizmit.
4. Ai investon në start-upe dhe në bamirësi.
Këto pika mund t’i keni dëgjuar më parë edhe në emisionin Piter Pan në Klan, që instrumentalizon fëmijët për të larë mëkatet e politikanëve e “investitorëve”.
Megjithatë, publiku e ka të pamundur t’i dallojë këto fluktuacione performancash (që rëndom quhen gjobëvënie), të cilat lëvizin pothuajse me skenar.
Vetëm kush lëviz brenda ekosistemit të medias apo politikës arrin t’i dallojë, në morinë e fenomeneve e lajmeve ç’orientuese, që shpërfaqen në hapsirën publike çdo ditë.
Një tjetër arsye është fakti që opozita, që polli Manen, ka përftuar nga mitja që qeveria i ka bërë këtij të fundit dhe e ka gojën kyçur.
Kam dëgjuar deputet të PD-së të flasin për oligarkët (pa emra) në mëngjes e të kthehen të flejnë në vilën luksoze në Valamar në mbrëmje.🙄
“I duhet rënë qeverisë vetëm!”
“Ai është biznesmen, edhe unë po të isha, do të përfitoja…”
“Nuk i bihet biznesit, jeni komunista…”
Asnjë në PD, hiq ndonjë kokërr, nuk beson se ka karrerë në politikë po u armiqësua me Manen, Kastratin, Ulaj, Frangaj, Dulakun & co.
Duhet sponsor të ndërtosh karrierë politike. Duhet t’u bëhesh atyre i dobishëm që të shpresosh në karrierë politike. Kjo është e vërteta!
Dhe sa kohë nuk luftohet fenomeni i oligarkëve, do të thotë se opozita nuk është e sinqertë apo më e mirë se qeveria. Ajo thjesht dëshiron ta zëvendësoj këtë të fundit si palë në transaksionet me oligrkët, jo të luftojë njëmend korrupsionin.
Unë them mbajini justifikimet që t’ju bëjnë fresk në verë e zjarr në dimër.
Interesi publik shqyhet përditë nga hijenat në qeveri, në politikë, në media e në biznes, ndërkohë që Mane e shpëlan figurën e vet në një intervistë të këndshme me Orin ose Alketën.
PS: Mbaj mend se i shkruajta një mikut tim në fillim viti për miqësinë e vjetër Mane-Blushi: “Nuk jemi të pasur, por të paktën miqtë i kemi miq”.