Si ia hodhi burgut Martin Mane dhe pse portalet e financuara nga Samir Mane kanë nisur sulm të koordinuar ndaj Ilir Prodës

Nga Gazeta Jonë

Pasi pritën me shpresën se çudia më e madhe zgjat tre ditë në Shqipëri, Samir Mane duket se është hedhur në kundërsulm në lidhje me skandalin e aksidentit të djalit të tij Martin Mane dhe ngjarjat që rrodhën me pas, duke lënë të dëmtuar rëndë edhe një punonjës policie si Azbi Spahiu.

Si me buton, portale të financuara nga Samir Mane ose të drejtuara nga persona që marrin rrogën në bizneset e Manes, kanë nisur një sulm të koordinuar ndaj kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Dje dhe sot, në këto media gjen sulme të koordinuara ndaj Prodës, me argumentin se gjoja mbrojnë interesin publik, ndërkohë që interesi i vetëm që mbrohet edhe ai i Samir Manes dhe djalit të tij që sipas njoftimit fillestar të Policisë se Shtetit, ishte i dehur në timon, shkaktoi aksident, u largua nga vendi i aksidentit dhe kundërshtoi punonjësit e policisë.

Me një mal me akuza, Martin Mane ia doli të kalonte vetëm pak orë në qeli, përmes avokatëve të mirë që paguan babai, ndërkohë që dëm kolateral mbeti polici Azbi Spahiu, i cili siç mëson Gazeta Jonë, edhe pse është jashtë rrezikut për jenë, ka marrë dëmtime të mëdha në trup pasi tentoi vetëvrasjen.

Historia me djalin e Samir Manes, e cila konfirmoi brishtësinë e shtetit shqiptar përballë oligarkisë ekonomike, nisi në fundjavë dhe u duk sikur u harrua nëse polici Azbi Spahiu nuk do të kishte tentuar vetëvrasjen në kushtet e presionit pasi u mor në pyetje nga AMP.

Portalet e financuara nga Samir Mane, duke e thënë drejtpërdrejt ose duke e nënkuptuar, janë duke qarkulluar versionin se gjoja Ilir Proda ka tentuar të gjobisë oligarkun dhe ka urdhëruar në telefon arrestimin e djalit të tij.

Kjo është një retorikë e stërpërdorur nga biznesmenë apo politikanë që kanë abuzuar dhe shkeljet e tyre publikohen nga mediat. Në çdo rast ata justifikohen me togfjalëshin “po më gjobisin”, ndërkohë që nga ana tjetër kanë vjedhur miliona apo miliarda.

Nëse dikush po zbaton ligjin nuk po gjobit, ashtu siç edhe nëse dikush raporton se si një biznesmen ka zhvatur buxhetin nuk është duke u gjobitur.

Gjoba duket të jenë streha e fundit e maskarenjve të biznesit dhe politikës për t’iu shmangur përgjegjësisë.

Ilir Proda ka qenë vazhdimisht objekt i raportimeve të Gazeta Jonë, pasi ne kemi zgjedhur të mos bëjmë kompromis as me pushtetin dhe as me opozitën, as me paranë dhe as me krimin, pork y nuk është rasti, pasi me çështjen e djalit të Samir Manes, i vetmi mëkat që ka Proda është që nuk po reagon për opinionin publik. /gazetajonë