Krahas deklarimeve për ngjarjet e bujshme kriminale të regjistruara vite më parë, i penduari i drejtësisë, Artan Tafani ka rrëfyer përpara hetuesve kodet identifikuese që Laert Haxhiu dhe grupi i tij përdornin në aplikacionin SKY.

Këto kode janë dhënë nga 39-vjeçari gjatë marrjes në pyetje për të disatën herë. Përmes tyre Prokuroria e Elbasanit shpreson të grumbullojë prova për ngjarje të tjera kriminale të rrëfyera nga Artan Tafani.

Ky dyshim i hetuesve vjen pasi 39-vjeçari, ka rrëfyer përpara tyre se në platformën SKY janë zhvilluar komunikime e biseda lidhur me vrasje e tentative vrasjesh dhe i përfshirë ka qenë i shumëkërkuari Laert Haxhiu.

Tek ky i fundit Tafani ka adresuar dhe 18 ngjarjet kriminale tashmë të zbardhura nga policia në operacionin “Kurrë mos harro”.

31-vjeçari Haxhiu aktualisht ndodhet në burg në Greqi dhe akuzohet si pjesëmarrës dhe organizator. Në pranga u vendosën 12 persona të cilët u lanë nga gjykata në arrest në burg ndërsa 4 të tjerë janë ende në kërkim./ TvKlan