
Ndonëse kryeministri Edi Rama dhe ministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e inaguaruan që në dhjetor të vitit të shkuar, ARRSH njofton mbylljen e pjesës së Unazës nga “Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës”, për të realizuar shtresa e asfaltobetonit në datat 08-09 mars.
Sipas njoftimit, punimet do të zhvillohen gjatë orëve të natës, nga ora 20:00 deri në 06:00. Gjatë kësaj periudhe, do të bllokohet aksi kryesor nga ish-sheshi Shqiponja deri tek ura e lumit të Tiranës, me devijime të nevojshme për trafikun.
“Në datën 08 mars 2025, nga ora 20:00 deri në 06:00, punimet do të përqendrohen në krahun e djathtë të aksit kryesor, duke bllokuar lëvizjen e automjeteve në tunelet nr.2 dhe nr.1, që lidhen me autostradën Tiranë-Durrës dhe aksin kryesor nga Teodor Keko. Në datën 09 mars 2025, po nga ora 20:00 deri në 06:00, do të kryhen punime në krahun e majtë, ku automjetet do të devijohen për në nënkalimin e Paskuqanit” – thuhet në njoftimin e ARRSH.
Kjo tregon se për pak propagandë, inagurimi i saj është bërë kur ky aks ende nuk kishte përfunduar plotësisht.
Kujtojmë se punimet për unazën e Tiranës kanë nisur në vitin 2010 dhe u deshën pesëmbëdhjetë vjet që vepra tëpërfundojë. Por ky fakt nuk e pengoi qeverinë të vazhdonte traditën e ‘inaugurimeve’ të bujshme në vepra të papërfunduara prag zgjedhjesh.
Unaza e madhe e Tiranës është e gjatë rreth 29 kilometra, ndërsa kosto totale e saj përllogaritet në mbi 491 milionë euro. Në këtë segment kosto për 1 kilometër llogaritet 20 milionë euro. /gazetajone