Stina e pranverës është gjithmonë e shoqëruar me shpërthimin e alergjive. Çelja e bimëve dhe ndryshimi i temperaturave krijojnë një atmosferë aspak miqësore për të gjithë ata që vuajnë nga alergjitë e stinës. Por çfarë ndodh me trupin gjatë kësaj periudhe dhe përse bëhemi kaq problematikë nga alergjia?
Stina e pranverës është e shoqëruar me alergjitë që lidhen me bimët dhe polenet e tyre. Në mometin e çeljes së bimëve çlirohen polenet e tyre. Ato janë shumë të vogla sa era mund t’i shpërndajë deri në 50 kilometra. Gjatë procesit të frymëmarrjes, polenat e bimëve futen në organizmin e njerëzve. Sistemi imunitar i individit vlerëson polenin apo organizmin që hyn dhe e klasifikon si ‘armik’ të tij dhe këtu fillon një ‘luftë’ mes trupit dhe polenit. Efektet e kësaj ‘lufte’ janë zakonisht simptomat e alergjisë si teshtimat, kruajtja e syve, djegje fyti, hundë etj. Nëse kemi një gjendje më të acaruar, mund të shoqërohet me kollë e deri në astmë.
Mirëpo ka disa mënyra shumë efikase që lehtësojnë efektet e alergjisë.
Evitoni qëndrimin në ambiente me shumë pemë ose aty ku pritet bari
Sa më shumë bimë të ketë, aq më i madh është propabiliteti i një reaksioni alergjik. Për ata persona që kanë alergji nga bari, është e rekomandueshme të qëndrojnë shumë larg ambienteve ku pritet bari, sepse ky proces shpërndan më shumë në sasi polenin e tyre.
Mbani syze
Mbajtja e syzeve do të siguronte një mbrojtje të tyre nga polenat, çka do të sillte më pak irritim dhe kruajtje të tyre.
Mbani kapele ose lani kokën çdo mbrëmje
Mbajtja e kapelës ul sasinë e polenit të mbledhur në flokun tuaj. Nëse nuk mbani dot një kapele, atëherë duhet të lani kokën çdo natë që të pastroni folkun nga polenat. Kjo do të ndihmonte në një natë më të qetë.
Mos i mbani në ambientin ku qëndroni rrobat që keni veshur gjatë ditës
E mira është që rrobat e jashtme si xhinset apo bluzat të mund të ndërrohen çdo ditë dhe të lahen që të pastrohen nga polenet. Nëse ka rroba delikate që mund të prishen nga larjet e shpeshta duhet që ato t’i lini jashtë gjatë natës që të mund të ajrosen.
Mbani maskë mjeku
Nëse ju duhet të kaloni në ambiente që kanë shumë bimësi, duhet të mbani maskë që të minimizoni futjen e polenit në organizëm.
Një këshillë e fundit është që mundohuni të merrni frymë sa më shumë me hundë sesa me gojë. Është shumë herë më mirë që të acarohet hunda sesa fyti, sepse ky i fundit do të sillte probleme të mëdha me astmën. Nëse vëreni se shënjat e alergjisë janë shumë të larta atëherë duhet patjetër të vizitoni një mjek specialist.