Ka disa mënyra për t’i ruajtur më gjatë ushqimet që nuk i konsumojmë gjatë një periudhe të shkurtër kohe, e për të mos i hedhur në plehra.

Shpesh ndodh të blejmë ushqime më tepër se nevojat e familjes dhe ato të prishen. Kështu, shumë prej tyre përfundojnë në plehra. Sigurisht, askujt nuk i pëlqen të hedhë ushqimet, ndaj po ju japim disa këshilla si të ruajmë më gjatë ushqimet në shtëpi.

1. Mbështillni perimet që kanë gjethe

Perimet me gjethe janë shumë delikate dhe nëse nuk ruhen siç duhet, i humbasin shumë shpejt vlerat e tyre dhe nuk janë më të ngrënshme. Për të zgjatur jetëgjatësinë e ushqimeve si sallata jeshile, spinaqi, lakra etj është mirë të mbështillen dhe të ruhen në një enë hermetike në frigorifer. Kujdes edhe për frutat si pjeshkët, dhe avokadot, sepse pasi të piqen, ato fillojnë të kalben shumë shpejt . Ashtu si perimet me gjethe, mbajini edhe këto fruta në enë të mbyllura hermetikisht në frigorifer në mënyrë që të mos humbasin vitaminat.

2. Metoda e ngrirjes

Prisni karotat, kungullin e njomë, brokolin, lulelakrën ose spinaqin dhe më pas ziejini në ujë të vluar për 1 deri në 2 minuta. Pastaj vendosini në ujë të ftohtë për të ndaluar procesin e gatimit përpara se të ngrijnë.

3. Veçoni ushqimet që përmbajnë gaz

Ushqime të tilla si hudhra, patatet, qepët, bananet dhe mollët lëshojnë gaz, i cili përshpejton pjekjen e frutave dhe perimeve të tjera. Shmangni ruajtjen e këtyre ushqimeve së bashku në qilar. Mirë është t’i ruani ato në enë ose qese të veçanta me vakum dhe vendosini në frigorifer. Interesant është fakti se nëse i ruani qepët në frigorifer, ato nuk do t’ju bëjnë të qani herën tjetër kur t’i prisni.