Prokuroria e Tiranës kërkon arrest në burg për ish-kryetarin e Komunës së Bërxullës, Ymer Marku dhe 2 ish-zyrtarë të tjerë, Kujtim Balliun dhe kryeplakun Agim Loci pasi ndihmuar në tjetërsimin e një toke 7.500 metër katror tokë e llojit “Arrë”. Kjo sipërfaqe toke, në mënyrë të padrejtë i kaloi Kujtim Allmetës, që më pas ia shiti shoqërisë “Alko Impex Construsion” shpk në vlerën 10.000.000 lekë të reja. Për të 4 të lartpërmendurit, Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa prona që tashmë është blerë nga kompania është vendosur në sekuestro deri në një vendim të Gjykatës. Por kujt i përket kjo kompani?
Gazeta ka zbuluar se ka administratorë Enkelejda Çelin dhe Arbër Abazin, nipin e Sadri Abazit. Ndërsa zotërues është “ALKO-IMPEX-General Construction” me 100%, pra nuk ka asnjë emër përveç administratorëve. Por nuk mbaron me kaq. Shoqëria mëmë për “Alko-n” është kompania “ECO CLEANING”. Nëse futesh në faqen e “Open Data” për të kontrolluar pronarin e saj, zbulon se zotërues është sërish “ALKO-IMPEX General Construcion” me 95%, ndërsa vetëm 5% i ka kompania “2T”. Tek kjo e fundit, pronarët të paktën kanë emra dhe janë Artan Sako dhe Dritan Troksi me nga 50% të aksioneve. Sako është një emër i njohur pasi është vëllai i ish-Komandantit të Gardës së Republikës, Gramoz Sako, i cili së fundmi la detyrën që e kishte marrë që në vitin 2013.
Si u përfitua toka për 10 milion lekë të reja nga nipi i Sadri Abazit?
Në vitin 2005, Ymer Marku ka dërguar për verifikim në Këshillin e Qarkut Tiranë, dokumentacionin për dissa persona, të idendifikuar vetëm me inicialet: A.A., P.A. dhe Sh.A. Në cilësinë e Kryetarit të Komunës Bërxullë së bashku me kryeplakun e fshatit, Agim Locin, ka nënshkruar planin e rivlerësimit të këtyre pasurive. Në vitin 2015, Kujtim Balliu specialisti i Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës ka konfirmuar kalimin e tokës tek Allmeta, e gjitha me dijeni të Ymer Markut. Po sipas Prokurorisë, Kujtim Balliu, i cili nga muaji Korrik 2011- Shtator të vitit 2015, ka qënë me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, ka përpiluar shkresat për regjistrimin e tokës dhe ka dërguar Agjencia e Trajtimit të Pronës shkresën origjinale pa numër në emër të Allmetës. Sipas të dhënave të hetimit, asnjë dokument i lëshuar nga Balliu nuk ishte verifikuar.
Tenderat e Arbër Abazit
ALKO-IMPEX General Construcion
Objekti i Veprimtarisë: 2670-Thyerja e gurit dhënja e formës dhe finicioni; 4521- Ndërtimi i lartë dhe ndërtimi i ulët; 4522-Ngritja dhe mbulimi i konstruksioneve të kulmeve; 4523-Ndërtimi i autostradave, rrugëve, aeroporteve dhe objekteve sportive; 4525-Punime të tjera të specializuara të ndërtimit, vendosja e instalimeve të kanalizimit fekal dhe atmosferik; 4531-Vendosja e instalimeve elektrike; 4532- Vendosja e izolatorëve etj. Grumbullim, pastrim, përpunim dhe riciklim i mbetjeve urbane. Grumbullim, përpunim dhe shitje skrapi të ndryshme. Pastrimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme dhe sistemim-gjelbërim. Menaxhimi, riciklimi dhe trajtimi i mbetjeve të ndryshme. Shërbime lavanderie dhe dizinfektimi. Riparim i mjeteve motorike (servis). Tregtim automjetesh, pjesëve motorike. Kryerje e seleksionim i mbetjeve të ndryshme. Mirëmbajtje rutine dimërore rrugësh. Tregtim i pajisjeve, mallrave te ndryshme higjeno sanitare. “Trajtimi i qeneve endacake”, si dhe cdo lloj veprimtarie tjetër të lejuar nga legjislacioni shqiptar.” Studim, kerkimin, zbulimin shfrytezimin dhe perpunimin e mineraleve metalore dhe ndertimore. Tregetimin e tyre ne import-eksport, me pakice e shumice, si dhe me ruajtjen, magazinimin dhe transportimin dhe perdorimin civil te lendes plasese ne siperfaqen e nentokes. Pjesmarrje ne ankande e tendera, procedura konkurruese.
Kjo kompani ka marrë 52 kontrata publike që nga themelimi i saj duke përfituar nga buxheti i shtetit: 2 385 547 508,95 lekë të reja. Ndër vite ai ka marrë disa tendera për mirëmbajtjen e rrugëve por edhe për pastrimin e mbeturinave në disa qytete, si: Fier, Lushnje, Shkodër, Himarë, Vorë, Kavajë, Devoll, Librazhd por edhe në kontrata të tjera për ndërtime. Në Prill 2023, Bashkia e Pogradecit e shpall fituese kompaninë e familjes Abazi në tenderin “Loti IV, Ura e Zëmçës – Kryqëzimi Proptisht, Bishnicë”, me fond limit 220.320.000 lekë të reja. Në korrik 2023, “Alko Impeks” ankimoi vendimin e Drejtorisë Spitalore Dibër për skualifikimin nga tenderi “Rikonstruksioni i godinës spitalore”, me fond limit 325.049.984 lekë të reja.
Faktet tregojnë se nga tenderat e marrë ose nuk ka pasur garë reale, ose ofertat fituese kanë qenë sa ose mbi fondin limit. Si bashkëpunëtorin më të afërt për marrjen e këtyre tenderave, Abazi ka pasur Jonaid Myzyrin, drejtor i Komisionit të Prokurimeve Publike, i cili më herët ka qenë punonjës në kompaninë e tij, si jurist, punë që nuk e deklaroi kurrë në jetëshkrimin e tij.
RASTET KUR MYZYRI ka favorizuar ABAZIN
Vendimet pro Abazit
– Në datë 3 gusht 2023, Komisioni i Prokurimit Publik, nën drejtimin e Jonaid Myzyri, ka marrë në shqyrtim kërkesën për shfuqizimin e vendimit për skualifikimin e ofertës së “Alko Impeks General Construction” nga procedura për “Rikonstruksionin e Spitalit Rajonal Dibër”, me fond limit 325.049.984 lekë të reja, të zhvilluar nga Drejtoria e Spitalit RajonalNë përfundim, KPP vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e “Alko Impeks General”.
– Në 3 maj 2023, KPP mori në shqyrtim kërkesën e kompanisë “Albavia” për skualifikimin e ofertës së kompanisë “Alko Impeks General” nga procedura tenderuese me objekt “Loti IV, Ura e Zëmçës
– Kryqëzimi Proptisht, Bishnicë”, me fond limit 220.320.000 lekë të reja, të zhvilluar nga Bashkia Pogradec. Në përfundim, KPP vendosi pushimin e çështjes, duke lënë në fuqi fitues kompaninë “Alko Impeks General Construction”.
– Në 10 nëntor 2022, KPP mori në shqyrtim ankesën kundër skualifikimit të ofertës së paraqitur nga “Alko Impeks General” në procedurën “Shërbimi i Pastrimit dhe largimit të mbeturinave për Bashkinë Vorë”, me fond limit 273.460.221 lekë të reja. Në përfundim, KPP, nën drejtimin e Jonaid Myzyri vendosi të pranojë ankesën e “Alko Impeks General”.
– Në 16 maj 2022, KPP shqyrtoi ankesën e “Alko Impeks General” për skualifikimin e ofertës së saj nga tenderi “Shërbimi i pastrimit të territorit të Bashkisë Himarë”, me fondi limit 289.674. 042 lekë të reja. Edhe në këtë rast, KPP vendosi të pranojë ankimin e shoqërisë “Alko Impeks General”.
– Në 28 janar 2022, Komisioni i Prokurimit Publik shqyrtoi ankesën e kompanive “GPG” dhe “Korsel”, të cilat kërkonin skualifikimin e ofertës së shoqërisë ‘Alko Impeks General Construction” nga tenderi “Shërbimi i pastrimit dhe grumbullimi i mbetjeve urbane në Bashkinë Lushnje”, me fond limit 49.968.489 lekë të reja.Në këtë rast, KPP e drejtuar nga Myzyri vendosi të mos pranojë ankimin, duke lënë në fuqi vendimin për shpalljen fitues të shoqërisë së familjes Abazi.
– Në tetor 2021, KPP pranoi kërkesën e kompanisë “Alko Impeks”, e cila ankohej për skualifikimin nga procedura me objekt “Shërbimi i pastrimit dhe largimit të mbeturinave (mbetjeve urbane) në Njësitë Administrative dhe kryerja e shërbimit të mirëmbajtjes së varrezave publike në Njësitë Administrative të Bashkisë Fier”, me fond limit 198.984.172 lekë të reja.
Në shumicën e këtyre tenderave është ngritur flamuri i kuq, si për mungesë konkurrence, ashtu edhe për faktin që kanë qenë procedura me negocim.
Por lidhja me Arbër Abazin, nuk është “problemi” i vetëm për Jonaid Myzyrin. Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik KPP, Jonaid Myzyri, është paraqitur më 20 Shkurt të këtij viti në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit. Atje është marrë në pyetje për rreth dy orë lidhur me kontratën e Sterilizimit, por ndaj tij ende nuk është marrë asnjë masë. Nën arrest janë Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj, ish-zëvendësministër i Shëndetësisë, ndërsa nën hetim janë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani.