Palestinezët në Gazën e rrethuar janë grumbulluar të hënën në spitale dhe shkolla, duke kërkuar strehim, teksa furnizimet me ujë dhe ushqim janë pakësuar. Mbi një milion persona janë larguar nga shtëpitë e tyre para një pushtimi të pritur tokësor nga izraelitët, pasi militantët e Hamasit kryen një sulm të koordinuar tokësor, ajror dhe detar, në jug të Izraelit.
Shumica e infrastrukturës ushtarake të Hamasit është e fshehur në zonat urbane, ku luftimet në rrugë me gjasë do të shkaktonin shumë viktima në të dyja palët. Izraeli nuk ka dhënë ndonjë afat se kur mund të nisë një inkursion tokësor.
Furnizimet me ujë, ushqim dhe ilaçe janë duke u pakësuar. Spitalet kanë thënë se janë në prag të kolapsit dhe nuk janë në gjendje të plotësojnë kërkesën e Izraelit që të evakuojnë pacientët. Mbi një javë pas sulmeve shkatërruese të Izraelit dhe shkatërrimin e lagjeve të tëra, Izraeli nuk ka arritur të ndalë sulmet me raketa nga militantët.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 2.670 palestinezë janë vrarë dhe 9.600 janë plagosur që kur kanë nisur luftimet. Kjo shifër e viktimave është shumë e lartë sesa lufta në Gazë më 2014, që zgjati mbi gjashtë javë.
Kjo është lufta më vdekjeprurëse që Izraeli dhe Hamasi kanë zhvilluar.
Mbi 1.400 izraelitë janë vrarë – shumica civilë – dhe shumica e viktimave u shkaktuan nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit. Të paktën 155 të tjerë, përfshirë fëmijë, janë kapur nga Hamasi dhe janë dërguar në Gazë, sipas Izraelit.
Izraeli ka urdhëruar mbi 1 milion palestinezë – pothuajse gjysma e popullsisë së territorit – të evakuohen në jug të Gazës. Ushtria ka thënë se po tenton të largojë civilët para një fushate të madhe kundër Hamasit në veri, ku ka thënë se militantët kanë rrjete të gjera tunelesh dhe kanë raketahedhës.
Hamasi u ka bërë thirrje banorëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.
Për të tretën ditë me radhë, ushtria izraelite ka njoftuar për një korridor të sigurt që mund të përdorin banorët që të evakuohen nga veriu në jug nga ora 08:00 deri në mesditë. Izraeli ka thënë deri më tani mbi 600.000 persona janë evakuuar nga zona e Qytetit të Gazës.