Kompania që ka nën administrim inceneratorin e Elbasanit ECO Elb ka parashtruar nevojën e saj për mjete të rënda në funksion të shërbimit të menaxhimit të mbetjeve urbane. Një procedurë e fundit prokurimi e çelur nga kjo kompani ka në objekt të kontratës pikërisht këtë “Shërbim-Menaxhim mbetjesh urbane ne landfill (Makineri te renda)” me një fond limit prej rreth 55 milionë lekësh apo 525 mijë euro.
Në dokumentet që janë vënë në dispozicion nga kompania nënvizohet se mjetet mund të jenë për shitje apo dhënie me qira teksa kontrata do të jetë me një afat 12 mujor nga data e lidhjes. Në seksionin formulari i termave të referencës kompania parashtron cilat janë nevojat e saj konkrete dhe arsyeja pse këto mjete nuk disponohen duke argumentuar se ECO Elb është një shoqëri e re. “Gjatë analizës se proceseve te punës se Inceneratorit dhe landfillit u konstatua se për procesin e operimit të tyre nevojiten këto mjete:
Me ane te ekskavatorit do te behet ngarkimi i mbetjeve ne transportier për t’iu nënshtruar procesit te selektimit. Me anë të fadromës do të realizohet ngarkimi i mbetjeve organike dhe inerte të cilat janë gjeneruar nga procesi i selektimit. Me anë të mjetit kamion do të bëhet transportimi i mbetjeve organike dhe inerte të cilat gjenerohen gjatë procesit të selektimit, gjithashtu do të bëhet transporti i hireve që gjenerohen nga procesi i djegies së mbetjeve.
Me anë të mjetit buldozer me zinxhir do të bëhet shpërndarja e mbetjeve që do të depozitohen në landfill. Shoqëria ECO-ELB sh.a. e cila kryen menaxhimin e Inceneratorit dhe Landfillit duke qenë një shoqëri e re nuk i zotëron këto mjete të nevojshme për operimin e inceneratorit dhe landfillit prandaj është e nevojshme që ky shërbim të mbulohet me anë të një kontrate shërbimi nga të tretë” thuhet në dokument. Eco Elb është kompani e krijuar në 18.11.2021 dhe ka në objekt të aktivitetit “Grumbullimi, rehabilitimi dhe përpunimi i mbetjeve të ndryshme, organike, të ngurta, të gjelbërta,..etj, në territorin administrativ të të gjithë bashkive të Qarkut Elbasan. Trajtimi i mbetjeve me djegie (incenerator).
Kompania trashëgoi inceneratorin e Elbasanit të ndërtuar nga Albtech Energy e cila kishte një kontratë të dorëzimit me çelësa në dorë të impiantit të djegies së mbetjeve në Elbasan. Në dhjetor 2021 inceneratori i Elbasanit kaloi nën sekuestro teksa janë dhënë dënime për një sërë personash të lidhura me këtë projekt. Aksionerë të ECO Elb aktualisht janë Bashkia Cërrik me 8 për qind, Gramsh me 8 për qind. Elbasan 52 për qind, Peqin 8 për qind, Belsh 8 për qind, Librazhd 8 për qind./ Monitor.al