![IMG_9473](https://gazetajone.com/wp-content/uploads/2025/02/IMG_9473.jpeg)
Kompania hollandeze Shell ka vendosur të tërhiqet nga Blloku 4 i kërkimeve në Jug të vendit, ndërsa ka pezulluar të gjitha operacionet e tjera të nxjerrjes së naftës në Shqipëri dhe po konsideron ndërprerjen përfundimtare aktivitetit në vendin tonë.
Në pasqyrat e audituara për vitin financiar 2023, të publikuara me vonesë vetëm në fillim të këtij viti, kompania Shell Albania Block 4 B.V.- Dega Shqipëri shprehet se “gjatë muajve të parë të vitit 2024 …drejtimi i Degës ka vlerësuar situatën e operacioneve në Shqipëri. Bazuar në vendimin e marrë nga menaxhimi, nuk ka asnjë synim për të vazhduar aktivitetin e saj të biznesit për një të ardhme të parashikueshme. Drejtimi vlerëson se likuidimi i Degës do të fillojë përgjatë vitit 2025,” thuhet në shënimet e pasqyrave financiare të kompanisë.
Shell Albania Block 4 B.V. është kompania që menaxhon kërkimet në Bllokun 4 të kërkimeve të naftës në Shqipëri, Bllok që shtrihet në zonën Jugore dhe Juglindore të vendit. Kompania i përfitoi të drejtat e kërkimit në këtë zonë me Vendimin e Këshillit të Ministrave të qershorit 2018.
Kontrata parashikonte tre periudha eksplorimi, të cilat në total parashikoheshin të zgjasnin për shtatë vite. Duke marrë parasysh ndërprerjet e shkaktuara nga përhapja mbarëbotërore e pandemisë Covid-19 dhe paqëndrueshmërinë e tregut të energjisë, në vitin 2022 Shell vendosi të pezullonte kërkimet në Bllokun 4, për një afat kohor prej jo më shumë se dy vjetësh. /gazetajone