Foto ilustruese.
Një zënkë mes dy punonjësve të policisë në mbrëmjen e djeshme ka agravuar deri në përdorimin e armëve. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në zonën e Bllokut, pranë njësisë bashkiake numër 5.
Ajo që e bën skandaloze këtë ngjarje është fakti se policët nuk kanë qenë të një rangu të ulët, ku diku-diku edhe mund të mungojë qetësia dhe profesionalizmi.
Punonjësi i FNSh, Rigers Iljazi, bashkë me vëllanë e tij, Marjus Iljazi janë konfliktuar me shefin e operacionales në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Vladimir Laska.
Mësohet gjithashtu se të pranishëm në këtë konflikt ishin edhe Blerim Qarri dhe Elton Bisi. Në këtë përplasje fizike gjendja ka agravuar aq shumë, sa të dyja palët kanë kërcënuar njëra-tjetrën me armët e shërbimit.
Pas kësaj ngjarjeje, të përfshirët në këtë përplasje janë shoqëruar në komisariatin numër 2 dhe janë nën hetim nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore.
Ky incident padyshim është një vulë e zezë për policinë, që tregon se ka pjesë të saj njerëz të paqëndrueshëm dhe të pa shkolluar, sipas parimeve që duhet të ketë ky profesion.