SKANDAL në tender , ROGAT Security e Begator dhe Marsel Mane fiton 97 milionë lekë me shkelje, prokurorët me pushime
Buxheti i shtetit por edhe ai i bashkive janë kthyer prej vitesh në një “lopë që e mjel” kushdo që ka lidhje me politikën dhe ata që marrin vendimet duke abuzuar rëndshëm me paratë publike dhe interesat e qytetarëve.
Tashmë, kompanitë private dhe vendimmarrësit e korruptuarjanë bërë më të zgjuar në rastet kur duan të vjedhin apo t’ia japin tenderin atij që duan duke zbatuar në dukje rregullat përmes respektimit në mënyrë fiktive të procedurave, por që në fund del i njëjti rezultat: Tenderin e merr ai që është paracaktuar!
Gazeta Jonë sjell si shembull të tillë tenderin e organizuar nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit me Nr.Reference REF-76891-08-07-2023 dhe fond limit 10 020 834 lekë. Pra, rreth 100 milionë lekë.
Tenderi është fituar nga kompania RO.GAT Security në pronësi të biznesmenit Begator Mane dhe nën administrimin e Marsel Manes.
Por, ku qendron “kleçka”?
Në dukje tenderi është tërësisht korrekt edhe pse kompania RO.GAT Security ka fituar me një vlerë 9 723 600 lekë, e cila është shumë pranë fondit limit. Praktikisht, kompania RO.GAT Security ka fituar tenderin duke dhënë 97% të fondit limit, madje duke patur edhe tre ofertues të tjerë!
Në vetvete, fitimi i tenderëve me mbi 90% të fondit limit konsiderohet tepër i dyshimtë sa i përket garës reale në to, por problemi më i madh në këtë tender është se tre ofertuesit e tjerë kanë marrë pjesë në tendër por nuk kanë dorëzuar asnjë DOKUMENT që të vërtetojnë se janë të aftë ta përmbushin detyrimin e marrë përsipër!
Praktikisht, kompanitë pjesëmarrëse në tender “VOJVODA” shpk; “TREZHNJEVA” shpk dhe “LEKA” shpk duket se kanë marrë pjesë në mënyrë fiktive në tender për të përmbushur detyrimin e garës, pasi nuk kanë ofruar asnjë dokument për të mbështetur ofertën e tyre.
Në këtë mënyrë, ato i kanë hapur rrugën kompanisë RO.GAT Security që të fitojë tenderin praktikisht pa farë në mes. Një fakt i tillë është krejtësisht i dukshëm pasi të treja kompanitë marrin pjesë në tenderë të tjerë dhe operojnë normalisht, dhe nuk ka asnjë arsye që të mos dorëzojnë dokumentet bazike të pjesëmarrjes në tendër pikërisht në tenderin që duket se ishte projektuar ta fitonte RO.GAT Security.
Këto janë praktika të dënueshme dhe të ndaluara me ligj në Shqipëri, por duket se prokurorët janë ende me pushime.
Referua të dhënave nga thesari dhe APP, Rogat Security duket të jetë kompania e “preferuar” e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në Tiranë, tenderë për të cilët do të raportojmë hollësisht në vijim. /Gazeta Jonë
*Shkrimi është publikuar në kuadër të projektit “Fuqizimi i gazetarisë investigative në Shqipëri”, mbështetur nga organizatat europiane të medias.