Manovra në shërbim të Kastrati Group mori më qafë Granit Gjanën, pse ra në rrjetën e SPAK

Granit Gjanës nuk i janë dashur shunë, por vetëm 90 ditë për t’u përlyer me llumin e korrupsionit dhe pazarllëqeve me tenderë. SPAK është duke e hetuar atë për akuzën e shkeljes së barazisë në tender duke mbështetur kompaninë e Shefqet Kastratit kudrejt kompanisë UFO Cengu për një procedurë prokurimi për blerje karburanti me vlerë 210 milionë lekë.

SPAK njoftoi këtë të mërkurë se GJKKO ka miratuar kërkesën për pezullimin nga detyra të Granit Gjanës, nën dyshimet se ka kryer veprën penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”, shkruan Gazeta Jonë.

SKANDALI/ Manovra në shërbim të Kastrati Group mori më qafë Granit Gjanën, pse ra në rrjetën e SPAK
SKANDALI/ Manovra në shërbim të Kastrati Group mori më qafë Granit Gjanën, pse ra në rrjetën e SPAK

Sipas SPAK-ut, “…ky shtetas me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023”.

Çfarë thonë dokumentet?

Rezultatet e tenderit u shpallën në Agjencisë e Prokurimit Publik në 3 Korrik, në kohën që Gjana ishte komanduar si kryetar në detyrë i Bashkisë së Kukësit, pas arrestimit të titullarit Safet Gjici, nën dyshimet për “korrupsion pasiv” në formën e favoreve seksuale.

Sipas dokumentave zyrtare, në tenderin për blerje karburanti, i cili duket se do të bëhet shkak që Gjana të kenë probleme serioze me ligjin, morën pjesë operatorët ekonomikë “Kastrati” dhe “Ufo Cengu”.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, Bashkia e Kukësit, e drejtuar përkohësisht në atë kohë nga Granit Gjana, vendosi skualifikimin e shoqërisë “Ufo Cengu”, duke shpallur fitues kompaninë “Kastrati”.

Por, ndryshe nga bashkitë e tjera, ku Kastrati bën ligjin me lejen e Ramës, “Ufo Cengu” nuk ishte aspak dakord me këtë vendim dhe e ankimon atë në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Në 3 Gusht 2023, KPP pranon ankesën e “Ufo Cengu” shpk, vendos të anulojë tenderin dhe urdhëron Bashkinë e Kukësit të rihapë procedurën nga e para.

Në vendimin nr. 721/2023 të Komisionit të Prokurimit Publik thuhet, ndër të tjera se: “KPP konstaton, se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nuk i ka vënë në pozita të barabarta ofertuesit, pasi nuk ka pasqyruar në SPE normat përkatëse të fitimit të ofertuara prej tyre, në kundërshtim me nenin të ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, i cili përcakton qartë se nga ana e autoritetit kontraktor nuk mund të lejohet ndryshim në përmbajtjen e ofertës, përfshirë ndryshimet në çmim”.

Pas këtij rezultati, çështja referohet pranë Prokurorisë së Posaçme, për veprën penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”.Pikërisht këtu nisin problemet për Gjanën pasi edhe shefi i tij “me shpatë në dorë” Safet Gjici ishte mësuar që t’ia jepte tenderat e naftës Shefqet Kastratit pa bërë minimumin e garës.

Procedura të ngjashme me tenderët janë edhe në bashki të tjera, për të cilat nevojiten një mori investigimesh. /Gazetajone.com