I ashtuquajturi “Parku i Artit” synon që të rivitalizojë parkun natyror në ish-Kinostudio duke e kthyer në një hapësirë arti. KLSH ngriti një grup kontrolli me ekspertë për të ndjekur këtë procedurë, verifikimin e zbatimit të projektit. Gazeta Jonë sjell dokumentet me shkeljet që janë konstatuar.
Në raport thuhet se në datë 14 Prill 2021 u firmos kontrata me fituesin që doli nga tenderi me vlerën e kontratës 356,049 Euro me TVSH. Por fiks një vit më pas, 12.04.2022 operatori ekonomik që fitoi tenderin kërkon zëra të rinj punimesh me argumentin e mos parashikimit në kontratë dhe përmirësime të projektit të propozuar nga kontraktori, që është ministria. Kjo do të thoshte që volumi i punimeve shtohet me 15% ose 5,493,869 lekë. KLSH raporton se dy ditë pas kërkesës është pranuar dhe nënshkruar ndryshimi i kontratës duke rishikuar çmimin dhe rritur vlerën e kontratës në shumën 339,608 Euro pa TVSH ose 407,530 Euro me TVSH.
Pra shtesa e vlerës së kontratës është në shumën 42,900 euro pa TVSH ose 51,480 Euro me TVSH. Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se ndryshimi i kontratës është në kundërshtim me kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës së punimeve pasi “është tjetërsuar lloji dhe tipi i kontratës, nga me “çelësa në dorë” në kontratë me “çmim njësie”, duke përfituar operatori ekonomik një vlerë shtesë prej 51,480 Euro me TVSH, të pa ofertuar, argumentuar dhe të pa mbështetur ligjërisht”. Për këtë shkelje KLSH kërkon të merren masa nga ministria që drejtohet nga Elva Margariti, pasi shuma “avulloi”…