Një tender i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për ngritjen e Regjistrit për Ekzekutimin dhe Vjeljen e Gjobave për Institucionet Shtetërore ka ngjallur dyshime për mungesë transparence dhe manipulim.
Fondi limit për këtë projekt ishte 355,531,020 lekë të reja pa TVSH, ose gati 4.3 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Fituesi i tenderit është shpallur kompania A-T-D – ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION, në pronësi të Nursen Metulit, me një ofertë prej 313,570,600 lekë të reja pa TVSH, që përllogaritet në 376,284,720 lekë të reja me TVSH ose rreth 3.8 miliardë lekë të vjetra.
Sipas artikujve të shumtë në media, Metuli rezulton të jetë i njohur i vjetër dhe mik i Blendi Gonxhes.
Proçedura e tenderimit është zhvilluar në formatin e hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, por ka pasur një pjesëmarrje të kufizuar.
Në garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani: A-T-D – ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION, që u shpall fituese, dhe iCom, e cila ka ofruar një vlerë zero dhe nuk ka paraqitur një ofertë konkurruese.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje për mungesën e konkurrencës dhe për mënyrën se si është zhvilluar tenderi.
Diferenca e vogël mes ofertës fituese dhe fondit limit prej rreth 11.8% shton dyshimet për një proces të paracaktuar.
Ndërkohë, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projekti dhe shumat e mëdha monetare të përfshira, janë ngritur dyshime të forta për manipulim të procesit dhe mungesë transparence. Ekziston shqetësimi nëse procesi ka respektuar standardet ligjore dhe etike të tenderimit publik.
Ky tender, i zhvilluar në kushte ku mungojnë ofertat konkurruese dhe me një diferencë minimale nga fondi limit, kërkon një hetim të thelluar nga institucionet përkatëse për të garantuar që fondet publike po përdoren në mënyrë të drejtë dhe të ndershme. Transparenta dhe përgjegjshmëria janë të domosdoshme për të shmangur shpërdorimin e parave të taksapaguesve.