Një aksion i policisë zbuloi sasinë e 33.5 kilogramëve kokainë në arkat me banane të “BanaKing”, drogë për të cilën deri më tani janë shoqëruar 8 persona.

Por kjo nuk është hera e parë që policia gjen drogë në kontejnerët e “BanaKing”.

Në prag të vitit të ri, më 31 dhjetor të 2021-shit policia organizoi operacionin e koduar “Romanati”.

Blutë ndaluan Romanat të Durrësit një kamion që transportonte një kontenier të ngarkuar me banane nga porti i Durrësit, për një magazinë në Vaqarr. Brenda saj u gjetën plot 119 kilogramë kokainë të nisura nga Amerika Latine.

Për këtë rast u arrestuan Lavdosh Zerba dhe Julian Merhori, punonjës në doganën e Durrësit dhe Bujar Qyrku punonjës i AKU-së me akuzën se lejuan që të kalojë kamioni i “Bana King” me kokainë, teksa në skaner nuk u konstatua droga. Por pavarësisht ngjarjes së bujshme, ata u lanë të lirë.

Kur u duk se çështja u zbeh dhe u la në harresë, një tjetër operacion nxori sërish emrin e “BanaKing” në kronikat e zeza.

Më 18 korrik të këtij viti, blutë informuan mediat se për zhdukjen e 49 arkave banana nga kontejneri i “BanaKing”, të cilat dyshohet se kanë pasur brenda kokainë.

Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Durrësit në datën 8 korrik. Por prej 10 ditësh askush nga kompania nuk ishte paraqitur për të marrë porosinë, deri në ditën ku kontejneri u konstatua i hapur.

Ngarkesa ishte nisur nga Kolumbia, më pas ishte ndalur në Spanjë, Itali e në fund në Durrës.

Për këtë u shoqëruan 20 punonjës të sigurisë portuale dhe kompanisë “Bana King”, por edhe kjo ngjarje mbeti në hije.

Sot, për të tretën herë, pa mbushur një vit, mediat u informuan për një tjetër ngarkesë me drogë në bananet e “BanaKing”. Operacioni i koduar quhet “Again”, ndërsa policia është kujdesur të mos përmendë emrin e kompanisë së cilës i përkisnin arkat me banane që vinin nga Ekuadori.

Pra, në total kemi 152.5 kilogramë kokainë dhe 49 arka të zhdukura të “BanaKing”. Të gjitha këto raste janë ende të pazbardhura dhe shqiptarët ende nuk kanë një përgjigje.