Shumë familje në Gazën e bllokuar nga forcat ushtarake të Izraelit shkruajnë emrat e fëmijëve të tyre në duar dhe pëllëmbë për t’i bërë më të lehtë gjetjen ose identifikimin e tyre pas sulmeve izraelite.

Shumë banorë të Gazës kanë frikë se nuk do të jenë në gjendje t’i njohin fëmijët nëse ata vdesin në sulme.

Qindra njerëz u vranë dhe u plagosën në një sulm izraelit në Spitalin Baptist al-Ahli më 17 tetor. Zyrtarët thonë se shpesh është e vështirë të përcaktohet identiteti i disa prej të vrarëve në sulm.

Kjo është arsyeja pse shumë banorë shkruajnë emra në pëllëmbët e fëmijëve të tyre në mënyrë që ata të mund të identifikohen lehtësisht në rast se vriten nga sulmet izraelite.

Ahmed Abu es-Seba, 35 vjeç, i cili jeton në Kompleksin Mjekësor Shifa, ka shkruar emrin e tij në pëllëmbët e tij, si dhe emrat e fëmijëve dhe të afërmve të tij.

“Ne shkruajmë emrat tanë në pëllëmbët tona, si dhe emrat e fëmijëve tanë në mënyrë që trupat të mund të identifikohen në rast se aeroplanët izraelitë na bombardojnë”, tha es-Seba.

Ai theksoi se është e vështirë të identifikohen shumë njerëz, veçanërisht fëmijët, të cilët janë vrarë në Gaza.

“Izraeli nuk diferencon dhe bombardon të gjithë”, tha ky palestinez.

Në spitalet e Gazës, çdo orë për dydhjetë ditë, stafi ka parë dhjetëra fëmijë të shpëtuar nga rrënojat. Fytyrat e tyre janë të mbuluara me gjak dhe pluhur. Për të identifikuar urgjentisht këto viktima të reja të transportuara, spitali më i ngarkuar i qytetit, tani përdor një akronim “W.C.N.S.F”, “Fëmija i plagosur pa familje të mbijetuar”.

Duhet theksuar po ashtu se popullata në Gaza është një ndër më të rejat në botë, me gjysmën e popullsisë që bën pjesë në grupmoshën poshtë 18 vjeç.

Pra, nga 2.3 milionë palestinezë në Gaza, rreth 1.15 milionë janë fëmijë ose adoleshentë.

Dhe lufta, pikërisht ata, po i prek më shumë se të gjithë.

 

Në disa institucione, si spitali Nasser në Khan Younes, i dyti më i madh në Gaza, fëmijët nën tre vjeç  zënë kryesisht dhomat e kujdesit intensiv, të mbushura me viktima të bombardimeve izraelite.