Gazeta greke “Documento” ka zbuluar detaje të reja nga dosja “Sky ECC” në Greqi, ku u identifikuan grupe kriminale të lidhura me njëra-tjetrën, të cilat trafikonin drogë nga Shqipëria dhe Spanja. Një nga individët e përfshirë në këtë dosje është 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj, i cili u vra në Tiranë në vitin 2022.

Sipas hetimeve, Sadikaj përdorte dy aplikacione të enkriptuara, “Encrochat” dhe “Sky ECC”, dhe ishte një person me precedentë kriminalë, i njohur edhe me mbiemrin Kalemi. Ai ishte hetuar nga policia greke që nga marsi 2020 për rolin e tij si drejtues i një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin e marijuanës nga Spanja në Shqipëri dhe më pas në Greqi.

Gazeta ka zbuluar gjithashtu një episod të trafikut të drogës, ku përfshihet 36-vjeçari Denis Grabocka nga Korça. Më 5 maj 2020, autoritetet italiane arrestuan një shtetas grek, U.P., i cili drejtonte një kamion bullgar me 133 pako marijuanë, që ishin fshehur mes produkteve të tjera.

Shoferi kishte pasur kontakte me një llogari të paidentifikuar të “Encrochat” me emrin “milanmilan”, e cila kishte ndihmuar në organizimin e transportit të ngarkesës. Sipas dosjes hetimore, për këtë ngarkesë u transferuan 400 mijë euro përmes sistemit “Hawala”, një metodë që është përdorur për të kaluar paratë nga një anëtar i grupit në Spanjë në një anëtar tjetër të paidentifikuar.

Pjesë e hetimeve ka qenë gjithashtu një tjetër transfertë prej 60 mijë eurosh që u dërgua në Madrid pas kapjes së ngarkesës.