Pas konfiskimit të Ora News dhe tritolit ndaj News24, qeveria Rama ka realizuar ndryshime thelbësore në realitetin mediatik të vendit duke shtirë në dorë edhe televizionin tjetër ABC News.
Mësohet se sot atje është prezantuar si drejtor Sokol Balla duke filluar menjëherë nga puna përmes largimit të Endri Xhafos.
Përmes një njoftimi në Facebook Xhafo thotë se emisioni i tij “LOG.” nuk do të transmetohet më dhe është ndërprerë me efekt të menjëhershëm. Arsyeja, thotë moderatori, është për shkak të ristrukturimit programor të televizionit Abc News.
“Sot paradite m’u komunikua se, me efekt të menjëhershëm, emisioni LOG. ndërpritet. Pra, për nesër, ditë e martë, duhet të njoftojmë të ftuarit të mos vijnë. Arsyeja zyrtare: Ristrukturim programor i ABC-së. Çështja është se me situatën aktuale të ABC-së faji mbetet kopil dhe të drejtën s’ke ku ta kërkosh”, shkruan ai ndër të tjera.
Ndërkohë, mësohet se krahas Xhafos nga ABC News është larguar sot edhe drejtori i Informacionit, Andi Tela.
Ky i fundit është larguar pasi në dyert e televizionit është parë Sokol Balla.
U tha se ABC News ishte blerë nga oligarku i Kosovës, Blerim Devolli, por më pas sipas raportimeve në media, njerëzit e tij u zhdukën një ditë të bukur nga zyrat e televizionit dhe në të shkuan njerëzit e Shefqet Kastratit, i cili tani jep paratë, kurse drejtimi “de facto” e ka Endri Fuga.
Devolli duket se ka shërbyer vetëm për të blerë TV-në dhe tani ia ka dorëzuar qeverisë, e cila e financon me Kastratin duke vendosur Sokol Ballën në krye. /gazetajone