Ditën e sotme opozita do të mbajë protestën kombëtare, ne qëllim rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës. Ka qenë kreu i PD Sali Berisha që në koordinim edhe me Partinë e Lirisë që lajmëroi në një dalje për mediat protestën e radhës kombëtare, pas asaj së 7 korrikut.
Protesta do të nis në orën 16:00 teksa ditën e djeshme ish-kryeministri Berisha u shpreh optimist për një pjesëmarrje të lartë të qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga diaspora.
“Zemërimi, revolta, padurimi i qytetarëve shqiptarë po kulmon, po rritet çdo orë, me padurimin më të madh po presin protestën e nesërme në orën 16:00 të pasdites si një ngadhënjim të plotë të popullit opozitar, si një dëshmi përfundimtare e vendimit të këtij populli për të mos pranuar kurrë më armikun e egër të votës së tyre të lirë, të sillet si është sjellë me ta. Për të mos pranuar kurrë më një kryehajdut të të gjitha kohërave për t’i vjedhur, për t’i varfëruar e mjeruar”, u shpreh Berisha teksa i beri thirrje policisë që të mos revoltojë protestuesit.
“Mesazhi im për Policinë e Shtetit, mos revoltoni protestuesit. Vijnë me të drejtat e tyre kushtetuese, vijnë të provokuar në shkallën më të lartë nga një njeri që po i dëbojnë fëmijët nga shtëpitë e tyre. Ky është mesazhin për policinë, asgjë s’mund të zvogëlojë dimensionet e përpara të protestës së nesërme. Policia në interesin e saj më të mirë të mos bëhet mercenare e Edi Ramës, ka Kushtetutë, protestuesit janë fuqia absolute morale e vendit, mjerë ai që i prek”- ishte mesazhi i Berishës.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka marrë edhe masat sa i takon kësaj proteste ku disa segmente do të bllokohen.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, duke filluar prej orës 15:00, të datës 12.11.2022, deri në përfundim të tubimit, janë:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Ajo që nuk dihet është sa do të zgjasë protesta, për të cilën ish kryeministri Sali Berisha në konferencën me gazetarët dje tha se “do zgjasë sa t’i teket popullit opozitar”.
Megjithatë edhe pse në Tiranë do të protestohet për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës, ky i fundit nuk do të jetë në kryeministri pasi ndodhet në Forumin e Paqes në Paris.