Ish-kryeministri Sali Berishës dhe Gazment Bardhit, kanë paralajmëruar se në vazhdën e aksionit të tyre, nuk do të lejojnë zhvillimin e seancës maratonë për miratimin e buxhetit.
Përballë këtyre paralajmërimeve, socialistët nuk po qëndrojnë duarkryq ku në rast se pamundësohet votimi, gjasat janë që seanca të ndërpritet dhe deputetët e maxhorancës të rikthehen të martën për votimin në parim.
Nuk përjashtohet as mundësia e një seance online, me deputetë të grumbulluar në kryesinë e Kuvendit, larg sallës së seancave plenare ku opozitarët e Rithemelimit do të vënë në jetë planin e tyre.
Në dyshim është edhe prezenca e kryeministrit Edi Rama, i cili një vit më parë, pati vetë në seancë peshën kryesore të replikave me Partinë Demokratike, në një seancë maratonë që zgjati 12 orë.
Edhe grupi opozitar që nuk mbështet aksionin, ai i PD zyrtare me Lulzim Bashën dhe deputetët e pakët që e mbështesin, e kanë në pikëpyetje prezencën e tyre në sallë.
Ata kanë propozuar 8 amendamente, ndaj prezenca e tyre pritet vetëm nëse do të gjendet hapësira për ta diskutuar buxhetin.
Në seancën e ditës së sotme edhe prezenca e Gardës pritet të jetë më e lartë për të parandaluar përplasjet fizike, ndërsa vigjilenca do të jetë po ashtu e lartë, për të ndaluar futjen e lëndëve piroteknike në sallë.