SPAK e akuzon Erzen Breçanin, ish-zyrtar policie për akuzën e “pastrimit të parave” kryer në bashkëpunim me të birin Eraldi Breçani, që rezulton të jetë kunati i Ervin Matës, i konsideruar si një nga njerëzit më të fuqishëm të narkotrafikut. Mata kundërshtar i Ervis Martinaj dyshohet se ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut drejt vendeve të BE-së.
“I pandehuri Erzen Breçani me veprime aktive të kundraligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat e përftuara nga i pandehuri Eralbi Breçani si rezultat i aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre dhe vijimit të nxjerrjes së mëtejshme të të ardhurave nga aktivitetet tregtare ku janë injektuar këto të ardhura”, thekson SPAK.
Paratë dyshohen të jetë investuar në HEC Drita mbi lumin Valbonë e për këtë arsye SPAK ka vendosur sekuestrimin e shoqërisë “HEC DRITA ENERGY”.
Po ashtu ish-zyrtari i lartë i policisë akuzohet se ka ndihmuar në arrati të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani, që të mos përfundonte në prangat e policisë, përmes të dhënave që ja përcillte mikut të tij Bujar Ajeti Gëmizi.
“Të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur shtetasin Nuredin Dumani i cili ishte në kërkim për kryerjen nga ana e tij të disa veprave penale shumë të rënda, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të pandehurit Cenaj dhe Ajeti kanë strehuar dhe ndihmuar shtetasin Nuredin Dumani me qëllim që t’i shmanget drejtësisë, kur ndaj tij kishte masë sigurie nga gjykata”, theksohet në dokument.