Në fund të muajit janar Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si antikushtetuese dy vendime të Kuvendit për të bllokuar dërgimin në këtë gjykatë të mandatit të deputetes Olta Xhaçka, por 8 muaj më pas këto vendime nuk janë zbatuar ende nga Kuvendi.
Në fillim të korrikut Këshilli i Legjislacionit, pasi mbajti në shqyrtim për disa muaj këto vendime, doli me dy raporte për Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, si autoritet ligjor që do të vendosë për hapat e tjerë që do të ndjekë Kuvendi.
Raporti i mazhorancës i sugjeronte rikthimin e çështjes në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet, ndërsa mendimi i pakicës sugjeronte ndjekjen e praktikës së mëparshme parlamentare për ta dërguar direkt në seancë për votim kërkesën e opozitës që mandati i Xhaçkës të shkojë për interpretim në Kushtetuese.
E pyetur nga BIRN se pse nuk ishte ndërmarrë asnjë hap i mëtejshëm për zbatimin e vendimeve të Gjykates Kushtetuese, Kryetarja e Kuvendit u justifikua me axhendën e ngjeshur në fillim të sesionit parlamentar.
Shefi i i saj i kabinetit, Kosta Bajraba, tha se “Kryetarja e Kuvendit do të thërrasë së shpejti Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Inunitetit për ta shqyrtuar çështjen në frymën e vendimit të GJK-së”. Ai shtoi se nuk ka qenë e mundur thirrja e këtij këshilli më herët “për arsye të kalendarit të ngjeshur të punës”.
Por, ky argument nuk është bindës për kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, i cili i tha BIRN se ka kërkuar zyrtarisht dhe ka ngritur shqetësimin që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“E kam kërkuar vazhdimisht këtë çështje në Konferencën e Kryetarëve”-tha ai, duke shtuar se, -“moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një akt që cënon rëndë shtetin ligjor”.