
Kryeministri Edi Rama do e kritikonte para të gjithë socialistëve ish-ministren e tij Olta Xhaçka për mosaktivizimin e saj në rrjetet sociale.
Në Asamblenë Kombëtare të 11 shkurtit, Rama iu drejtua Xhaçkës, por edhe të pranishmëve të tjerë, duke i kërkuar të jenë aktivë në rrjetet sociale.
Nëse nuk e dini, “Rilindja” ka ndërtuar një rrjet të komplikuar për nga mënyra se si funksionon në rrjetet sociale, që nga shpërndarja me detyrim e postimeve të kryeministrit, apo kryetarëve të bashkive, deri te monitorimi i çdo komenti, majde edhe me sistem pikësh.

Dhe presioni i Ramës e bëri menjëherë efektin. Të nesërmen, e 12 shkurtit, pas një pushimi të gjatë, Xhaçka u rikthye në rrjetet sociale me mesazhin “ja ku jemi”. Ndonëse mendja e ish-ministres duket se ndodhej diku tjetër, te problemet që kishin nisur të shfaqeshin me investimin strategjik të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, e që sot janë zyrtarisht në fletët e dosjes që ndodhet në SPAK.
Por rikthimi i Xhaçkës në rrjetet sociale duket se nuk zgjati shumë. Sot ajo bën plot 19 ditë që nuk ka bërë më asnjë postim në rrjetet sociale. Asnjë fjalë e kryeministrit e shpërndarë për 19 ditë, asnjë sukses i qeverisë nuk është ripostuar në profilin e saj në Facebook.
