SPAK kthen sytë nga Vilma Nushi , pyeten 70 persona, 10 të kallëzuar për 130 milionë euro
Pas megaskandalit të inceneratorëve dhe vjedhjes masive që u bë aty ndaj buxhetit të shtetit dhe atij të qytetarëve të Tiranës, SPAK ka çuar sytë edhe nga koncensioni i check up-it i marrë nga Vilma Nushi.
Shteti shqiptar ka paguar 130 milionë euro deri më tani për check upin, por SPAK dyshon se bëhet fjalë për një megaferë tjetër duke nisur tashmë hetimet, të cilat me gjasë do të shtrihen deri te pronarja e kompanisë, Vilma Nushi.
Mësohet se në kuadër të hetimit për koncesionin e “check up-it”, SPAK ka thirrur të marrë në pyetje 70 qytetarë.
Prokuroria e Posaçme ka thirrur sot për të dëshmuar 70 qytetarë nga Elbasani.
Në flet-thirrjen e tyre bëhet fjalë se marrja e dëshmisë është në funksion të procedimit nr. 122 të vitit 2020.
Të moshuarit që pyeten veçmas, do t’i përgjigjen pyetjeve të hetuesve sa herë kanë kryer “check up-in”, dhe në çfarë qendrash e kanë kryer atë.
Dosja për hetimin e check up është regjistruar në SPAK më 18 shkurt të vitit 2020, gati një javë pas depozitimit të kallëzimin penal. Në këtë dosje janë kallëzuar 10 persona, mes të cilëve ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja, ministren aktuale Ogerta Manastirliu, drejtues dhe ish-drejtues të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe aksioneren e kompanisë përfituese të Check-Up, Vilma Nushin.
Në kallëzim thuhet se ka prova dhe fakte për shkeljen e ligjit, në dy faza, në procedurën e dhënies në koncesion dhe përzgjedhjes së fituesit, si dhe zbatimin e kontratës. Sipas selisë blu, Ministria e Shëndetësisë ka shkelur procedurat ligjore për shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës, ka shpallur fitues ofertuesin me çmimin më të lartë, duke sjellë dëm të lartë financiar për buxhetin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor dhe se procedurat koncesionare kanë qenë fikitive dhe fituesi ka qenë i paracaktuar.
Po ashtu, në kallëzim thuhet se zyrtarët e kallëzuar, edhe pse janë të detyruar me ligj, nuk kanë ushtruar kontrolle ndaj koncesionarit për të parë nëse respektohet afati i realizimit të analizave prej 3 orësh, janë ndërtuar 475 pika Check-Up dhe 20 laboratorë. /gazetajone