Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka lëshuar një sërë masash sigurie në lidhje me inceneratorin e Tiranës, një pjesë e të cilave nuk janë ekzekutuar ende.

Në mesin e personave për të cilët SPAK ka lëshuar masën e arrestit me burg është dhe biznesmeni me origjinë shqiptare që jeton në Zvicër, Ilir Dedja.

Ky i fundit ka shërbyer si mburojë financiare për ish-zvkryeministrin Arben Ahmetaj, duke punësuar bashkëshorten e këtij të fundit në biznesin e tij në Zvicër. Përmes pagës së majme që Erjola Hoxhës i është deklaruar nga Dedja, Ahmetaj dhe familja e tij kanë nisur procedurat për kërkimin e azilit në Zvicër.

KUSH ËSHTË ILIR DEDJA 

Biznesmeni Ilir Dedja, nga një fshat i Kavajës, është njeriu që ka dalë garant për qëndrimin e ish-zv.kryeministrit në Lugano të Zvicrës. Dedja është një lidhje e ngushtë e Klodian Mërtirit dhe ish-politikanit socialist, i përmendur dhe në aferën e Zimbabve, ku shqiptarët tentuan që të ngrinin një skemë të ngjashme me inceneratorët në Shqipëri.

Rrugët e Dedjes dhe Mërtirit, kryqëzohen në shtator 2018, kur Dedja bleu kompaninë asokohe me humbje “C.G.C”, që administrohej nga Mërtiri. Por në vitin 2019, Dedja vendosi të kthejë mbrapsht 70 për qind të aksioneve te “ITS” për një vlerë shitjeje prej 600 mijë eurosh.

Inceneratori i Tiranës, SPAK lëshon urdhër-arrest për

ARBEN AHMETAJ, ERJOLA HOXHA DHE ILIR DEDJA

Ilir Dedja, rezulton të jetë gjithashtu një person që evidentohet në disa rrethana të rëndësishme të jetës së personit nën hetim Arben Ahmetaj dhe bashkëjetueses së këtij të fundit, personit nën hetim Erjola Hoxha. Lidhur me këtë situatë në muajin Prill 2023 SPAK i është drejtuar me një kërkesë Letërporosi autoriteve të Konfederatës Zvicerane.

Në përgjigje të raportit të hetuesit në datën 10 Tetor 2023, tregohet se: “…Erjola Hoxha që prej datës 1 Qershor 2022 është përfituese e një leje L e vlefshme deri më datë 29 Maj 2024 dhe banon në adresën 6963 Pregassona, rruga “Baschina 4” së bashku me vajzën e saj K.Ahmetaj, babai i fëmijës është Arben Ahmetaj. Ajo jeton me të bijën në apartamentin nr. 601 në katin e gjashtë, në rrugën “Boschina 4”.

Sipas kontratës së qerasë, duhet të paguajë një qera mujore prej 1 750 Franga Zviceriane dhe si garantues i kësaj kontrate është shtetasi Ilir Dedja, i datëlindjes 2 Shtator 1969…”.

Arben Ahmetaj, që prej datës 20 Shtator 2023, ka statusin e azilkërkuesit në Zvicër dhe është mbajtës i lejes së qëndrimit të vlefshme deri më 9 Janar 2024, i cili mban të njëjtën adresë me Erjola Hoxha.

Rezulton se Erjola Hoxha, që nga dita e marrjes së lejes së qëndrimit në Zvicër, është punësuar si konsulente pranë shoqërisë “Phronesis Consulting Sagl c/o BBFID SA me adresë në 6900 Lugano, në rrugën Ferruçio Pellin.

Erjola Hoxha është punësuar në këtë kompani nga biznesmeni Ilir Dedja. Sipas përllogaritjeve të tatimit të mbajtur në burim mbi pagat dhe të ardhurat kompensuese për periudhën nga 1 Qershor deri më 31 Dhjetor 2022, rezulton se Erjola Hoxha, ka marrë gjithsej 64 456,35 CHF bruto, e cila rezulton 9.208.05 CHF në muaj.

Hoxha, nuk ka precedentë penalë në Zvicër, nuk zotëron pasuri të paluajtshme, automjete apo dhe leje drejtimi zviceriane. Nga autoritetet zviceriane është hetuar dhe garantuesi, Ilir Dedja si person garantues i përbashkët për banesën e marrë me qëra nga Erjola Hoxha në Pregassona.

Sipas dosjes hetimore, Ilir Dedja, ka lindur në 2 shtator 1969 në Seferaj, në Shqipëri. Është shtetas italian i pajisur me lejen C të vlefshme deri më datë 27 mars 2027, ka mbërritur në Zvicër më datë 28 mars 2017 nga Italia.

Profesioni i tij, konsulent tregtar pranë “Phronesis Consulting Sagl”, i njëjti punëdhënës i Erjola Hoxhës, gruas së Arben Ahmetaj.

Që nga 1 mars 2023, Ilir Dedja është me banim në adresën 6828 Balerna në Bulevardin Carlo Pereda 5, ku aktualisht jeton me bashkëshorten e tij Jonida Lloshi.

Më parë, çifti ka jetuar në komuna të tjera të kantonit Ticino.

Sipas dosjes hetimore, Ilir Dedja është ortak dhe menaxher me të drejta individuale nënshkrimi për shoqërinë “DRAX Consult Sagl”, regjistruar në regjistrin tregtar më datë 20 mars 2017.

Të njëjtin funksion ka kryer më parë për shoqërinë “Swiss AX Sagl”. Gjithashtu Dedja është administrator i vetëm dhe zv-president për shoqërinë “3-DDD Swiss Sa”.

Ndërkohë shoqëria “3-DDD Swiss Sa”, shfaqet në vijim në marrëdhënie me shoqërinë Integrated Energy BV SPV.