Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar pas sulmeve kibernetike me të cilat është përballur Shqipëria nga ana e Iranit.
Pavarësisht sulmeve të sofistikuara, Peleshi tha se sistemet kibernetike ushtarake nuk ishin prekur ndërkohë që shtoi se do të kishte një projekt me vlerë 24 milionë dollarësh për forcimin e mbrojtjes.
Peleshi: Patjetër që këto sulme kanë qenë tepër të fuqishme dhe të dirigjuara nga një vend me të cilin nuk kemi më marrëdhënie diplomatike. Për herë të parë po e ndaj me publikun faktin që sistemet tona kibernetike ushtarake as herën e parë as tani nuk janë prekur. Janë më se të mbrojtura për shkak se janë të dedikuara dhe të shkëputura nga sistemet e tjera. Sa i përket planeve dhe projekteve që po punojmë për ta ngritur në një nivel më të lartë sigurinë kibernetike jemi në zbatim të një projekti shumë të madh në vlerë 24 mln dollarë të mbështetur nga partnerët që synon ngritjen e qendrës së sigurisë kibernetike dhe aftësimin e stafit.
Nuk jemi në ndonjë skenar të mundshëm të cenimit të sovranitetit tonë. jemi anëtarë të NATO-s, jemi të paprekshëm. Asnjë territor i NATO-s nuk është i cenueshëm.