Mbretëria e Bashkuar ka thënë se është e angazhuar për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon, e për këtë do t’i dërgojë 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit.
Në një komunikatë për media, shefi i Zyrës për Komunikim, Richard Le Vay, ka thënë se trupat e KFOR-it britanik do të dërgohen në Kosovë pas rritjes së tensioneve në pjesën veriore.
“Aktivizimi i shpejtë i Mbretërisë së Bashkuar është një demonstrim i aftësive unike dhe i angazhimit të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon. Forcat e Mbretërisë së Bashkuar do të vendosen në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë pas një kërkese të NATO-s. Kjo vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon”, deklaroi Shefi britanik i Shtabit të Mbrojtjes, Sir Tony Radakin.
Sipas komunikatës, diskolimi i trupave ushtarake do të shërbejë si forcë dhe ekspertizë për NATO-n “si pjesë e angazhimit kryesor dhe të palëkundur ndaj Aleancës”.
“Dislokimi i Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit demonstron përgjegjshmërinë e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar. Ne vazhdojmë të jemi një pjesë themelore e aleancës së NATO-s, duke ndarë ekspertizën dhe forcën tonë ushtarake. Zgjerimi i mbështetjes sonë për Forcën e Kosovës (KFOR) nënvizon përkushtimin tonë të palëkundur ndaj NATO-s dhe sigurisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Sir Tony Radakin