Mbretëria e Bashkuar ka thënë se është e angazhuar për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon, e për këtë do t’i dërgojë 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit.

Në një komunikatë për media, shefi i Zyrës për Komunikim, Richard Le Vay, ka thënë se trupat e KFOR-it britanik do të dërgohen në Kosovë pas rritjes së tensioneve në pjesën veriore.

“Aktivizimi i shpejtë i Mbretërisë së Bashkuar është një demonstrim i aftësive unike dhe i angazhimit të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon. Forcat e Mbretërisë së Bashkuar do të vendosen në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë pas një kërkese të NATO-s. Kjo vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon”, deklaroi Shefi britanik i Shtabit të Mbrojtjes, Sir Tony Radakin.

Sipas komunikatës, diskolimi i trupave ushtarake do të shërbejë si forcë dhe ekspertizë për NATO-n “si pjesë e angazhimit kryesor dhe të palëkundur ndaj Aleancës”.