Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë të shtunën në lidhje me shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Përgjegjës zyrtar për sulmin në kanalit të ujit në Zubin Potok është Beogradi”, deklaroi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla në një konferencë urgjente për mediat pasditen e së shtunës.
Ministri deklaroi se kemi të bëjmë me një grup profesional të mirëorganizuar, teksa shtoi gjithashtu se për rastin janë vënë në pranga tetë persona të dyshuar.
Sveçla, sulmin e mbrëmshëm e cilësoi si më të rëndin të kryer ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës që nga përfundimi i luftës.
“Ky sulm terrorist nuk është vetëm një sulm i rëndomtë por është një sulm i organizuar nga grupe apo organizata që janë profesioniste në organizimin e sulmeve të tilla që janë terroriste. Synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi në dëm të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.”
Ndërkohë, nga kontrollet e kryera, është sekuestruar një arsenal armësh, municione si dhe lëndë shpërthyese.
Drejtori i Policisë së Kosovës, duke folur në konferencën e përbashkët me ministrin e Sveçla, tha se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
Për goditjen e kanalit është vendosur në një çantë të zezë të paktën 15-20 kg lëndë plasëse, që është aktivizuar me detonator mekanik,
“Në bazë të hetimeve në vendin e ngjarjes, për ta kryer këtë sulm terrorist dyshohet se janë përdorur një sasi e madhe e eksplozivit prej 15 deri në 20 kilogramë. Eksplozivi ishte vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha Hoxha.
Hoxha tha se shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha, duke bërë që furnizimi me ujë të pijshëm të ndërpritet në shumë zona dhe lokalitete.