Reshjet e borës kanë filluar të zbardhin zonat malore në jug-lindje të vendit, veçanërisht ato mbi 600 metra mbi nivelin e detit.

Fshatrat turistikë si Dardha, Voskopoja dhe Vithkuqi po përballen me kushte të vështira atmosferike, të cilat mund të krijojnë probleme në qarkullim.

Për shkak të ditëve të pushimit, Korça dhe zonat në fshatrat malore janë të mbushura plot me turistë, kurse Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të jenë të pajisur me goma dimërore dhe të tregojnë kujdes të veçantë gjatë lëvizjes në këto akse.

Firmat kontraktore janë angazhuar për të siguruar pastrimin e rrugëve dhe mbajtjen e tyre të hapura, duke garantuar akses të pandërprerë për banorët dhe vizitorët.