SPAK ka nisur një mori hetimesh që kanë të bëjnë me pronat dhe abuzimet e zyrtarëve të lartë dhe të mesëm shtetëror me pasurinë e qytetarëve të vendit apo të pronarëve të caktuar, të cilëve iu është ndryshuar destinacioni apo janë zhvatur.

Dy ndër rastet e bujshme të hetimit mbi pronat janë bazat e ushtrisë në Sarandë dhe në Porto Romano të Durrësit, ku oligarkët kanë kullufitur hektarë të tërë me toka dhe prona publike në dëm edhe të sigurisë kombëtare.

Krahas tyre, SPAK ka rrasur në burg deri më tani edhe shumë drejtues apo punonës të Kadastrave, të akuzuar për masakër me pronat gjatë 20 viteve të fundit.

Masakra më e madhe është bërë në qytete bregdetare si Durrësi, Vlora dhe Saranda. Në këtë të fundit ka patur disa lëvizje nga ish-ministrja Gjonaj, e cila ndërmori ndryshime të mëdha në institucionet që bënin regjistrimin apo legalizimin e pronave, por gjithçka u la në mes (të paktën për momentin) pas shkarkimit të saj nga detyra.

Mirëpo, shkuarja e SPAK në Sarandë dhe Durrës duke u marrë specifikisht me pronat e ushtrisë atje, është një mundësi për prokurorët që të hapin sytë dhe të kuptojnë se çfarë ka ndodhur gjatë viteve të fundit sidomos me ndërtimet në Sarandë.

Në vijim, Gazeta Jonë do të sjellë dokumente dhe dëshmi konkrete mbi masakrën që ka ndodhur me pronat në bregdet. /GazetaJonë