Projektbuxheti i vitit 2024 është hedhur në terren për promovim nga kryeministri i vendit Edi Rama. Dje prezantimi i parë ishte në qytetin e Fierit ky qytetarëve ju fol për rritje rrogash, rritje ekonomike, rritje mirëqenie, mbështetje të shtresave në nevojë etj.. Por ana tjetër e medaljes është kosto mirëmbajtjesh apo vijim punësh koncesionare.

Në një pjesë të projektbuxhetit flitet për transportin  rrugor dhe kush do të jenë kontratat koncesionare që do të vijojnë të mbështeten tërësisht nga buxheti i shtetit. Për tre vitet e ardhshme, kontratat koncesionare që do të mbështeten me fonde nga buxheti i shtetit janë:

Kontrata e Koncesionit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit;

Kontrata e Koncesionit për ndërtimin e Rrugës Milot – Morinë;

Kontrata e Koncesionit për ndërtimin e Rruges Orikum – Dukat, By Pass-Porti i Jahteve;

Fondet e planifikuara në vitin 2024 për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit llogariten 3.5 miliardë lekë.

Për ndërtim, përmirësim, shfrytëzim dhe mirëmbajtje të Autostradës Milot-Morinë janë planifikuar 738 milionë lekë në 2024.

Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Porti i Jahteve-Bypass Orikum-Dukat (Ura e Shën Lizës) janë planifikuar 967 milionë lekë.

Projektet kryesore për periudhën afatmesme janë:

Ndërtim Tuneli i Llogarasë;

Porti Detar i Durrësit “Porto Romano”

Hekurudha Tiranë-Rinas dhe Linja Tiranë-Durrës;

Zgjerimi i aksit Elbasan-Qafë Thanë;

3532 km rrugë të mirëmbajtura sipas standardeve në vitet 2024-2026 në të gjithë territorin;

Pjesën më të madhe të pagesave do ta marrë koncesioni i Ndërtimit dhe Operimi të Rrugës së Arbrit me mbi 3.5 miliardë lekë.

Por stuhia Ciaran që ka përfshirë edhe vendin tonë nxori në pah problematikën në këto rrugë që janë ende në ndërtim dhe financohen nga buxheti. Kjo do të thotë që do të duhet më shumë financim nga buxheti edhe pse ka një zë që përfshin situatat emergjente.