Tre fëmijë kanë vdekur në orët e vona të së shtunës në fshatin Jabllanicë të Gjakovës, si pasojë e shembjes së një objekti të vjetër.
Sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës, objekti është shembur në rrethana të panjohura, ndërsa tre djemtë – dy 15 vjeç dhe tjetri 14 vjeç – kanë qenë brenda kur ndodhi tragjedia.
Mendohet që fëmijët kanë qenë duke luajtur në atë banesë kur ajo është shembur, teksa dyshohet se kanë qëndruar disa orë nën gërmadha derisa ngjarja është kuptuar nga banorët e zonës.
Presidentja e Kosovës u ka shprehur ngushëllime më të sinqerta familjarëve për incidentin që e ka quajtur tragjik.
“Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar.Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre.
Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër. Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe”, shkroi Osmani përmes një postimi në Facebook.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë thirrje që të bëhet hetim i tërësishëm i rastit.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se është i tronditur nga lajmi për vdekjen e tre fëmijëve, dhe i ka ngushëlluar familjarët.
“Le të bëjmë krejt çka mundemi të jemi me familjet në këto çaste të rënda!”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe ka thënë se kryeqyteti ka gatishmëri për t’i ofruar çdo ndihmë të mundshme Komunës së Gjakovës.
“Një tragjedi e tillë na kujton përgjegjësinë tonë të përbashkët për të krijuar një mjedis më të sigurt për të gjithë! Ngushëllime të sinqerta të gjithë familjarëve, miqve dhe të afërmve të tyre”, ka thënë Rama në Facebook.