Një tender i dyshuar korruptiv për kohën kur ka drejtuar Bashkinë e Kavajës, ka sjellë në Gjykatën e Posaçme, Elvis Roshin.
Fati i hetimit dhe gjykimit të tij aktualisht është në dorë të gjyqtares Rudina Palloj që është shortuar për të vendosur mbi kërkesën e Prokurorisë së Durrësit për ta pushuar hetimin.
Kjo e fundit më herët i ishte drejtuar Gjykatës së qytetit bregdetar me të njëjtën kërkesë, por gjyqtari Sokol Mara shpalli moskompetencë duke ia kaluar për vendimmarrje GJKKO-së.
Prokurori i Durrësit, Gëzim Çopa tashmë duhet të argumentojë kërkesën e pushimit të hetimeve para togave të zeza kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë.
Procedimi penal u regjistrua pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas një auditimi në Bashkinë e Kavajës evidentoi shkelje duke bërë kallëzim.
Procedimi i regjistrua më 31 korrik 2017, për shpërdorim detyre e shkelje të barazisë në tendera. Lidhur me seancën e parë në GJKKO ku kjo e fundit duhet të shprehet nëse i hap rrugë hetimit nga SPAK apo pranon kërkesën e akuzës së Durrësit për pushimin e hetimit, ajo nuk u zhvillua.
Prokurori i Durrësit nuk u paraqit për shkak se merrte pjesë në një seancë për caktim mase sigurie duke u caktuar kështu një datë tjetër.
Nga SPAK, përfaqësues i akuzës është Elvin Gokaj, i cili do duhet të presë vendimin e GJKKO-së e cila nëse rrëzon kërkesën e Prokurorisë së Durrësit, i hap rrugën SPAK-ut për të vijuar hetimet mbi pretendimet e KLSH-së për dy vepra penale që dyshohet të jenë konsumuar nga ish-kryebashkiaku socialist e që kanë të bëjnë me një tender për pastrimin e qytetit.
“Ky i fundit, në zbatim të programit të auditimit nr. 258 prot. datë 16.03.2017, dhe shtesës nr. 249/2 prot. të miratuar nga Kryetari i KLSH-së, ka kryer auditimin mbi rregullshmërinë dhe përputhshmërinë financiare në Bashkinë Kavajë, për periudhën 01.01.2015-31.12.2016 dhe për ish komunat, të kaluar në administrim të kësaj Bashkie, për periudhën nga 01.01.2013 deri 31.07.2015.
Sipas palës kallëzuese, nga auditimi i ushtruar janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore e nënligjore në fushën e prokurimeve publike.
Për këtë shkak, Kontrolli i Lartë i Shtetit, i është drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, nëpërmjet shkresës nr.258/14, date 27.07.2017, me lëndë “Indicie për ndjekje penale mbi shkeljet e konstatuara nga ana e Bashkisë Kavajë“.
Prej këtej, sipas palës kallëzuese, rezulton se: i) Në procedurën e prokurimit me objekt “shërbimi i pastrimit të qytetit” të zhvilluar në datën 15.02.2016, me fond limit 147,519,416 lekë (pa TVSH), titullari i Autoritetit Kontraktor, Z. Elvis Rroshi, ka miratuar procedurën dhe raportin përmbledhës të KVO-së, si dhe ka shpallur prokurimin publik dhe kërkesat e LPP.
Konkretisht: fitues OE “Alko Impeks Genaral Construction” SHPK, në kundërshtim me rregullat e OE “Ekologica Albanta” SHPK i cili ka vetëm një mangësi, mungesën e kontrollit teknik të një mjeti, por me vlerë të ofertës ekonomike më të ulët (127,500,526 lekë) dhe OE “Alko Impeks Genaral Construction” SHPK, i cili për dy mjete nuk ka paraqitur lejen e qarkullimit, nuk vërteton se ka kryer kontrollin teknik dhe siguracionin e mjeteve, nuk vërteton se ka paguar detyrimet për taksat vendore në shtetin e Kosovës, nuk ka paraqitur deklaratë se ky formular nuk aplikohet në shtetin e Kosovës, ka ofertën ekonomike më të lartë (139,746,161 lekë).
Titullant i Autoritetit Kontraktor Z. Elvis Rroshi, ka shpallur fitues OE “Alko Impeks Genaral Construction” SHPK, me më shumë mangësi dhe ofertë më të lartë. Si pasojë, fondet publike nuk janë përdorur në mënyrën e duhur, me një vlerë dëmi prej 12.245,635 lekë”, thuhet në materialin hetimor.
Elvis Roshi një vit më parë u thirr në Prokurorinë e Posaçme ku dha dëshmi si person në dijeni të çështjes për të cilën kryheshin hetime. Kur ka kaluar një vit, ende nuk u zbardh çështja për të cilën u pyet dhe cili ka qenë fati i këtij procedimi, thuhet në materialin hetimor.