Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Jorgo Goron.

Ndërsa drejtorit të Kadastrës, Bilbil Aliaj, trupa gjykuese i ndrysoi masën në detyrim paraqitje.

Në seancë, ai tha se nuk ka patur njohje me investitorin e tokës për të cilën bëhet fjalë.

“Nuk kam patur asnjë kontakt apo njohje me investitorin Artan Gaçi, apo me persona të tjerë të lidhur me të. Nuk kam patur sugjerime, udhëzime apo ndërhyrje lidhur me këtë çështje përfshirë dhe Jorgo Goron. Më ka ardhur një praktikë si titullar, e përpiluar nga punonjësit përkatës, siç ndodh zakonisht ku janë ekspertët dhe stafi përpilues, të cilën e kam firmosur si titullar”, u shpreh ai.

Të arrestuarit tjetër për këtë çështje, Vezir Gjikoka, iu la në fuqi masa e sigurisë, ajo e arrestit në shtëpi.

SPAK e akuzon Jorgo Goron se ka firmosur dokumentet e pronësisë për një sipërfaqe toke mbi 5 mijë metra në Dhërmi, për të cilën organi i akuzës thotë se është tjetërsuar nga tokë shtet në tokë privat.

Kjo sipërfaqe toke iu shit më pas investitorit strategjik Artan Gaçi nga pronari Stavri Mëhilli, që kishte AMTP false.