Më datë 21 prill të vitit 2021 kryeministri Edi Rama,, ministrja Ogerta Manastirliu dhe miku i tyre Rexhep Taip Erdogan inauguruan Spitalin Memorial të Fierit.
“Në këtë spital do të vendosim atë çfarë kemi thënë dhe do ta bëjmë, modelin e autonomisë spitalore. Një model i cili do të mundësohet në këtë qendër ekselence e do të eksportohet më pas në të gjithë spitalet e vendit tonë”, tha Manastirliu.
Në fakt, deri më sot ky spital nuk po shihet as si modeli më i mirë spitalet në vend dhe as si investim i rëndësishëm që iu shërben qytetarëve. I vetmi shembull që po jep është “vjelia e fondeve” për mjekët turq dhe largimi i mjekëve tanë drejt Gjermanisë.
Pasi në spital nisi puna, Manastirliu mori si staf mjek turq. Për të cilët garanton edhe akomodimin edhe ushqimin me taksat tona. Kështu, në 12 maj 2022 hapi tenderin me objekt “SHËRBIM I AKOMODIMIT TË PERSONELIT TURK”. Me kontratën në kundërshti me ligjin, më datë 24 qershor, Manastirliu filloi lëvrimin e 322 milionë lekëve për dhomat e hotelit ku u akomoduan mjekët turq.
Më këtë kontratë thuhet se afati do të mbarojë me datë 25 qershor të vitit 2023. Por, ende pa përfunduar afati i saj, Manastirliu ka hapur një tjetër tender. Në datë 6 mars është regjistruar tenderi me objekt “shërbim hotelerie – akomodimi” për nevojat e stafit të Spitalit Memorial Fier.
Nuk e dimë nëse mjekët kërkojnë të flenë në hotele me 5 yje, por vlera që do të shpenzojë Manastirliu për dhomat e tyre kap shifrën 1.2 milionë euro. Një vlerë e fryrë në raport me tenderin e parë.
Ndërsa parashikohet që kontrata të lidhet brenda këtyre ditëve. Kështu, brenda një viti Ministria e Shëndetësisë, po shpenzon më shumë se 1.5 MILIARDË LEKË vetëm për dhoma hoteli të mjekëve turq, teksa mjekët shqiptarë largohen nga vendi sapo t’u jepet mundësia e parë.