![vojsava zenelaj](https://gazetajone.com/wp-content/uploads/2025/02/vojsava-zenelaj-.png)
TENDERI/ Rrobaqepsja e preferuar, Vojsava Zenelaj merr 600 mln lekë pa GARË dhe me “stil” për uniformat e Policisë Bashkiake të Tiranës
Rrobaqepsja e përhershme e Bashkisë së Tiranës Vojsava Zenelaj ka fituar tenderin e radhës me vlerë 600 milion lekë me TVSH për uniformat e Policisë Bashkiake.
Tenderi është fituar në kushtet e mungesës së plotë të konkurrencës dhe duhet të ndezë një zile të fortë alarmi në institucionet përgjegjëse kundër korrupsionit në vend.
Sipas dokumenteve të konsultuara nga Gazeta Jonë, në tenderin me objekt “Blerje uniforma dhe veshje të tjera speciale për Policinë Bashkiake”, me fond limit 51 666 667 lekë kanë ofertuar dy kompani. E para është subjekti Vojsava Zenelaj dhe tjetri, subjekti “Armand Sinani”.
Më pas, ky i fundit është skualifikuar sepse nuk ka dorëzuar ofertë ekonomike. Imagjinoni, dikush futet në tender dhe nuk dorëzon një ofertë ekonomike! Duket qartë se Sinani është futur thjesht për të krijuar idenë e garës në këtë tender pasi Vojsava Zenelaj është projektuar fituese që në fillim, nisur edhe nga oferta.
![TENDERI/ Rrobaqepsja e preferuar, Vojsava Zenelaj merr 600 mln lekë pa GARË dhe me “stil” për uniformat e Policisë Bashkiake të Tiranës](https://gazetajone.com/wp-content/uploads/2025/02/Screenshot-2025-02-10-at-12.51.12 PM-1024x515.png)
Sipas të dhënave të konsultuara nga Gazeta Jonë, Zenelaj ka dhënë një ofertë 51 370 000 lekë ose rreth 99% e fondit limit. Ky në fakt nuk është tender, duket më shumë një situatë e qartë korrupsioni, ku rrobeqepsja e përhershme merr tenderin e radhës në Bashkinë e Tiranës.
Më herët, kompania e Vojsava Zenelajt është bllokuar për mospagim taksash, ndërsa për kohë të gjatë ka deklaruar vetëm një punonjës sipas opozitës.
Gazeta Jonë mëson se subjekti Vojsava Zenelaj nuk ka asnjë raport tjetër me shtetin përveç Bashkisë së Tiranës, me të cilën ka një raport ekskluziviteti për uniformat nga ku ka marrë rreth 82 mln lekë të reja gjatë viteve të fundit (shih tabelen).
Të dhënat e siguruara nga Gazeta Jonë prej thesarit tregojnë se Vojsava Zenelaj ka marrë pagesa vetëm për Bashkisë së Tiranës.
Zenelaj është e preferuara e përhershme e tenderëve për uniformat e Policisë Bashkiake të Tiranë, pasi Gazeta Jonë zbulon se ajo ka fituar edhe tenderët e tjerë të ngjashëm gjatë viteve të mëparshme me vlera qindra miliona lekë, por rasti i tanishëm duket tejet flagrant dhe kërkon një hetim më të thelluar nga institucionet përgjegjëse pasi duket se kemi të bëjmë me një aferë “2V”.
E përhershmja Vojsava
Në tenderin e që e ka fituar personi fizik “Vojsava” në vitin 2028, janë harxhuar nga bashkia 10 499 967 lekë për uniformat e policisë. Në stilin e zakonshëm, Vojsava është shoqëruar nga një kompani tjetër në tender, e cila ka paraqitur ofertën zero lekë.
Një vit më vonë bashkia ka rritur numrin e policëve dhe buxhetin për uniforma. Tenderi me objekt “Uniforma dhe veshje të tjera speciale për Policinë Bashkisë për vitin 2019” i ka kushtuar arkës së bashkisë 13 455 000 lekë.
Paratë i mori sërish Vojsava. I kënaqur me punën e saj, komisioni i Veliajt i fshiu të gjitha ofertat dhe e shpalli fituesen me “Flamur të Kuq”. Kjo është shenja e riskut të korrupsionit, sipas vlerësimit të Open Data Albania.
Megjithëse norma e përdorimit të uniformave është 2 vjet, Bashkia vazhdon të bëjë çdo vit tender për këtë qëllim. Kështu, në vitin 2020 janë harxhuar sërish 132 milionë lekë dhe sigurish tenderin e ka fituar Vojsava.
Duke e ditur tashmë se kush është fituesi, firmat konkurrente nuk kanë marrë pjesë në tender, prandaj Vojsava ka qenë e vetme në tender.
Një vit më pas, Vojsava ka blerë këpucët e Policisë Bashkiake me fondin 22 milionë lekë.
Ndërsa në vitin 2022, tenderi i uniformave kërcen me fondin limit prej 166 milionë lekë. Vojsava u fut e vetme në tender. Sepse askush nuk mund të konkurrojë kur vendos Lali Eri. Tenderi ka marrë “Flamur të kuq”.
Edhe në vitin 2023 janë blerë 600 uniforma për policinë bashkiake, Dokumenti i mëposhtëm detajon se janë blerë 600 spaleta, pantallona, këmisha, këpucë, kravata, 500 pulovra, 300 xhupa sintetik, 200 xhupa operacional, 400 kostume terital, 400 kostume doku.
/gazetajonë