Iliri ka ardhur posaçërisht nga Italia në “Shihemi në Gjyq” ku tregon konfliktin me motrën e tij. Në insertin e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan që na njeh me Ilirin, ai i quan motrat e tij monstra për shkak të një firme që Iliri nuk arrin ta marrë prej tyre.

Ilir: Ngelëm rrugëve, ç’është kjo punë kështu? Është e dhjeta herë që vij, nuk ka sens, nuk ka vend të qëndrojë kjo punë. S’e marr vesh, nuk e kuptoj.Nuk mbaj dot as nervat nuk mbaj. Vetëm lekë që kam harxhuar rrugëve dhe punët që kam lënë atje nuk ia vlen për aq pronë sa është ajo. Nuk e kuptoj, ajo është një monstër! Përveç vetes, ka mbajtur edhe dy motrat e tjera, ajo i detyron ato që mos të firmosin! Ato nuk janë motra, ato janë monstra! Kjo është hera e fundit që unë vij këtu! Di unë pastaj se si do ta zgjidh këtë problem!

Kur hyn në studio, Iliri thotë se nga tetë fëmijët e familjes, ai është më i vogli. Atij i duket se ky fakt e bën atë edhe më të dënuarin.

Ilir: Për sa i përket familjes tonë, jo për t’u mburrur, siç thoshte edhe nëna ime që të mirat bëji dhe harroji, të këqijat bëji dhe kujtoji. Tani unë vij nga Firence për një motiv. Është e dhjeta herë që vij në Shqipëri për një fakt që duhej kryer shumë kohë më parë. Kam një problem për sa i përket pronave që nëna dhe babai më kanë lënë dhe për atë kam testamentin. Tani me gojë motrat ma kanë lënë testamentin, ama nuk kanë ardhur të firmosin.