
Mirton Lika është një biznesmen shqiptar, i njohur për aktivitetet e tij në fushën e tregtisë dhe ndërtimit. Ai u bë i njohur në shtator të vitit 2017 kur u emërua Konsull Nderi i Sri Lankës në Shqipëri!
Emërimi i tij u bë nga Ambasadori i Sri Lankës në Itali, Daya Pelpola, në një ceremoni të zhvilluar në Romë.
Megjithatë, emri i Likës është përmendur së fundmi në hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në lidhje me çështjen e inceneratorëve dhe me hetimet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Një nga çështjet më të diskutuara në media është një apartament luksoz në Sky Tower, i cili dyshohet se është nën kontrollin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt.
SPAK po heton mundësinë që ky apartament të jetë blerë në mënyrë të tërthortë përmes Mirton Likës ose bizneseve të lidhura me të. Hetuesit po shqyrtojnë dokumentacionin financiar për të përcaktuar nëse kjo pronë është përdorur si formë pagesash të fshehta apo për shpërblime të mundshme ndaj zyrtarëve publikë ose si bazë e çiftit Veliaj.
Përveç kësaj, emri i Likës është përmendur në dosjet e SPAK që lidhen me dy biznesmenët e njohur për aferën e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Ndërkohë, burime pranë hetimit konfirmojnë se Lika ka një portofol të gjerë biznesesh dhe investimesh, kryesisht në sektorin e ndërtimit dhe tregtisë.
Ai ka qenë i përfshirë në projekte të mëdha ndërtimi në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke pasur lidhje me kompani dhe individë që tashmë janë nën hetim nga autoritetet.
Hetimet ndaj Mirton Likës dhe lidhjeve të tij me aferën e inceneratorëve janë ende në zhvillim dhe pritet të sjellin detaje të reja mbi përfshirjen e tij dhe të individëve të tjerë në këtë skandal që ka tronditur politikën dhe ekonominë shqiptare.
Nëse SPAK arrin të provojë përfshirjen e tij në skema korruptive, ai mund të përballet me akuza të rënda, duke u bërë një tjetër figurë e rëndësishme në dosjen e inceneratorëve, e cila ka përfshirë disa zyrtarë dhe biznesmenë të njohur në vend.
Për momentin, as Mirton Lika dhe as përfaqësuesit e tij nuk kanë dhënë një reagim publik mbi këto akuza dhe hetime, ndërsa SPAK vijon me mbledhjen e provave dhe dëshmive për të ndërtuar një dosje të plotë mbi këtë rast. /gazetajonë