63-vjeçaria Shpresa Mermali, nëna e Elton Mermalit nga Lushnja, ka thyer heshtjen duke folur për herë të parë mbi rrethanat e vrasjes së djalit të saj në 17 Tetor 2021, ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Peqinit, buzë lumit Shkumbin.
Shpresa, sot ndodhet në gjëndje të vështirë ekonomike, sëmundjen e rëndë që i ka prekur trupin dhe brengën që e mundon prej kohësh për vrasjen e të birit, Eltonit.
Sipas saj është pikërisht kjo brengë që e ka munduar kaq vite dhe që e solli në këtë gjëndje të vështirë shëndetësore.
Vrasjen e të birit, e ka përjetuar mjaft keq, duke e vuajtur ende dhe sot për të gjetur shkakun dhe arsyet.
Gjatë një komunikimi me telefon me gazetarin e “Ora News” Elton Qyno, Shpresa Mermali shprehet se për shkak të shëndetit jo të mirë e ka të pamundur të flasi në kamera.
Por përmes telefonit është e gatshme të s’qarojë se me familjen e Laert Haxhiut dhe babait të tij, Qamilit, nuk ka pasur asnjë lloj hasmërie.
Shpresa Mermali, tregon se familjen e Laert Haxhiun e njeh dhe se me të ëmën e tij, Florën, është takuar disa herë dhe së bashku kanë konsumuar dhe kafe.
E pyetur se cilat kanë qënë arsyet dhe pse Laert Haxhiu e donte të vrarë djalin e saj Elton Mermalin, Shpresa në anën tjetër të telefonit thotë se nuk është në gjëndje të shpjegojë këtë gjë, se pse ka dashur ta vrasë dhe cilat kanë qënë arsyet.
Megjithatë, 63-vjeçaria e ka një brengë nënë, brengë në të cilën mundohet të gjejë shkakun e vrasjes së të birit nga grupi i Laert Haxhiut, duke shtuar se:
“…unë me Florën, mamanë e Laertit njihem dhe kemi pirë shumë herë kafe së bashku në Lushnjë. Ditën kur janë vrarë në Lushnjë dy fëmijët Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, Flora, ka ardhur tek dyqani dhe kemi pirë kafe, duke diskutuar për ngjarjen. Në bisedë e sipër i kam thënë Florës se kushdo që ta ketë bërë atë krim edhe djali im po ta ketë bërë, mallkuar qoftë dhe kurrë mos bëftë hajër…. Kam mallkuar se ishte një krim shumë i rëndë, u vranë dy fëmijë. Brenga ime është brenga e nënës që më torturon, se fjalët që i ka thënë Florës dhe mallkimin që bëra atë ditë kur po pinim kafe, mbase Flora më vonë ja ka përcjellë të birit…”.
Sipas 63-vjeçares ata nuk kishin asnjë arsye që të vrisnin djalin e saj, Elton Mermalin.
“…unë i njihja të gjithë familjarisht, nuk kishin asnjë arsye të bënin këtë gjë. Djali im Eltoni, që në fëmijëri ka qënë shok dhe janë rritur së bashku me Luisin, vëllain e Laert Haxhiut. Luisin e kam mbajtur në shtëpi, i kam dhënë bukë së bashku me djalin, pasi e përzinte nga shtëpia ai njerku i tij, Qamili. Luisi, ngelej në rrugë dhe më vinte Eltoni më thoshte “…ta marin o mam në shtëpi…”. Dhe e merrja, i jepja bukë se ishte shok me djalin…”.
Lidhur me pyetjen se djali i saj ishte i përfshirë në vrasjen Bledar Haxhiut, Shpresa Mermali, tregon se këto janë gjepura dhe shpifje që i bëjnë gazetarët.
“…djali im në vitin kur është vrarë Bledar Haxhiu, ka qënë vetëm një fëmijë 15 vjeç. Si mundet dhe a besoni ju, që një fëmijë 15 vjeç të marë pjesë në vrasje dhe aq më tepër të jëtë krahu i djathtë i Aldo Bares. Donte t’ia dinte Aldo Bare në atë kohë për një fëmijë 15-vjeç si Elton Mermali. Këto janë gjepura që i bëjnë gazetarët për të ngatëruar. Ata që ishin krahu i djathtë dhe i majtë i Aldo Bares, sot gëzojnë pasuri, ndërsa Eltoni Mermali ka një kasolle…”.