Shqipëria ka hyrë në muajin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit, me qeverinë dhe opozitën që janë dislokuar në terren me të gjithë arsenalin e tyre, për të përmbushur misionin e fitores në 61 bashki të vendit.

Megjithatë duket se edhe këtë vit kandidatët nuk kanë shpëtuar pa shkelur Kodin Zgjedhor.

Kështu, Qeveria në kulmin e fushatës elektorale ka shpërndarë disa leje ndërtimi.

Ajo çka bie në sy në 40 vendimet e mbledhjes së fundit të KKT-së, që është mbajtur të martën e 25 prillit, është se me firmën e Ramës i jepet “OK” ndërtimit të shtatë kullave të reja në Tiranë.

Objektet për të cilat është marrë vendimi i KKT parashikohet të ndërtohen kryesisht përgjatë bregut të Lanës, në bulevardin “Gjergj Fishta”, por edhe në zona si “Don Bosko” dhe lagjia “Jordan Misja”, ku në vitet e fundit vazhdimisht derdhet beton, duke fryrë trafikun e mjeteve me bllokime rrugicash e duke zhdukur hapësirat e gjelbra.

Ndërtimet masive të kullave në Tiranë kanë hapur një debat të fortë, jo vetëm për pasojat dramatike në shkatërrimin urbanistik të qytetit, por edhe përdorimin e tyre për pastrim në shkallë industriale të miliona eurove, që për burim kanë aktivitetet e organizatave kriminale jashtë dhe brenda vendit.

VENDIMET E KKT:

1.Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt me funksione komplekse, shërbimi, zyra dhe rezidenciale “Bazaar Gate”, me vendndodhje ne kryqëzimin e Rrugës “K.Kristoforidhi” dhe Rrugës “Luigj Gurakuqi”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Bregu” sh.a.

2.Leje Ndërtimi për objektin: “Manhattan I – Godinë banimi dhe shërbimi”, me vendndodhje pranë Rrugës “Asim Vokshi” dhe “Don Bosko”, në Bashkinë Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë ”Forever Construction” sh.p.k.

3.Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt me funksion të përzier, shërbim, hoteleri dhe rezidencial”, me vendndodhje në Rrugën “Brigada e VIII”, në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Forever Construction” sh.p.k.

4.Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë Polifunksionale “Green Tower”, me vendndodhje në Bulevardin “Gjergj Fishta”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Titan Konstruksion” sh.p.k.

5.Leje Ndërtimi për objektin: “Objekt me funksion tregti dhe shërbime”, me vendndodhje në Rrugën “Jordan Misja”, Bashkia Tiranë”, me subjekt zhvilluesshoqërinë “Rreli-S” sh.p.k.

6.Leje Zhvillimi për objektin: “Strukturë banimi , shërbimi dhe funksione të përziera” me vendndodhje në Bashkinë Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Armaar Group” sh.p.k. dhe “Unico Construction” sh.p.k

7.Leje Zhvillimi për objektin: “Kompleks rezidencial dhe shërbimi “Tirana Lana Riverside Residences”, me vendndodhje në bulevardin Gjergj Fishta, në Bashkinë Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Forever Construction” sh.p.k.