Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e fundit e Bordit të Drejtorëve i bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të publikojnë kontratat e prokurimit publik që kanë të bëjnë me pandeminë dhe shpenzimet për rikuperimin e tërmetit, emrat e kompanive që kanë fituar kontratat dhe pronarët e tyre përfitues.

Fondi gjithashtu vuri në dukje se qeveria duhet të minimizojë ndryshimin e buxhetit me akt normativ në mënyrë që të ruajë besueshmërinë fiskale. Që kur ndodhi ngjarja e tërmetit dhe më pas ajo e pandemisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë shqiptare në të gjitha misionet që të bëjë transparentë përdorimin e fondeve për këto dy ngjarje.

Kjo është një tjetër njollë që mbulon ish-ministrin, që pasi “ndriti” ekonominë shqiptare, mori në dorë të gjitha fondet e Rindërtimit.

FMN gjithashtu nxiti Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe ente të tjera audituese të ushtronin inspektime mbi përdorimin e fondeve të tërmetit dhe më pas raportet ti bënin transparente. Mungesa vazhdueshme e kapaciteteve për vlerësimin dhe menaxhimin e rreziqeve fiskale është shndërruar në shqetësim për Fondin.

Raportet e rreziqeve fiskale, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me detyrimet e Ndërmarrjeve Shtetërore duhet të pasurohen më tej dhe të bëhen më largpamëse. Fondi rekomandoi krijimin e një mekanizmi për të siguruar monitorim sistematik në lidhje me ecurinë e huave të vazhdueshme të qeverisë ndaj Ndërmarrjeve Shtetërore.

Në vazhdim, kushtet për dhënien e huave dhe garancive për Ndërmarrjet Shtetërore dhe komunat duhet të bëhen më të rrepta për të menaxhuar më mirë rreziqet, rekomandoi FMN.

“Pavarësisht reduktimeve në stokun e përgjithshëm, detyrimet e prapambetura vazhdojnë, veçanërisht lidhur me projektet e investimeve dhe çështje gjyqësore dhe gjithashtu puna për përmirësimin e të dhënave për detyrimet e prapambetura duhet të vazhdojë, veçanërisht në lidhje me gjurmueshmërinë dhe automatizimin e të dhënave”, cilësoi Fondi.
Strategjia e re që do të finalizohet më 2023, duhet të adresojë reformat e paplota për parandalimin e detyrimeve të prapambetura, rekomandoi Fondi./Monitor