Afera e TEC-it lundrues që po pluskon në zonën e Triportit në Vlorës vijon të gllabërojë miliona euro. Karakatinat që kanë ardhur nga Bangladeshi ende nuk janë vënë në punë, por kjo s’e ka penguar shtetin shqiptar që krahas kostos së qirave, të akomodimit apo të karburantit, të bëjë tender edhe për sigurimin e tyre.
Pajisjet janë me qira, teksa KESH-i paguan çdo muaj qindra mijëra euro, pa u ndezur asnjë ditë. Mediat dhe shoqatat ambientaliste kanë kundërshtuar këtë kontratë të firmosur mes shtetit shqiptar dhe dy firmave, njëra italiane dhe tjetra amerikane. Ka pasur dyshime se një nga firmat është off-shore, por duke qenë se në “atë skenë krimi” shkuan edhe ambasadorë, asnjë institucion ligj zbatues nuk denjoi që të bënte qoftë një verifikim për qindra miliona euro që po shpenzohen.
Jo shumë larg vendit ku janë akomoduar ato karakatina të ndryshkura, qëndron i konservuar një tjetër TEC, kostoja e të cilit ka shkuar në plot 130 milionë euro. Ndërkohë, shteti ynë që po hiqet si i pasur paguan miliona euro për konservimin e TEC-it në tokë dhe qindra miliona euro të tjera për TEC-et Lundruese. Të jemi vërtetë kaq të pasur si shtet?!
Por, sikur mos të mjaftonte pagesa qindra milionë euro për marrjen e tyre me qira, KESH-i bën tender edhe për sigurimin e atij aseti.
KESH-i ka hapur objektin e procedurës së prokurimit me objekt “sigurimi i asetit – TEC Lundrues”. Fondi limit i kësaj procedure është 177.600.000 lekë, ose me TVSH shuma shkon në plot 2 milionë euro. Mësohet se procedura do të hapet në muajt në vijim dhe bën fjalë për “shërbime sigurimi”.
Por, a nuk është përcaktuar në kontratën e qirasë që këto firma të sigurojnë edhe asetin? Kontrata parashikon vlerën e amortizimit dhe vlerën e asetit. Madje, edhe mirëmbajtjen dhe gjithçka tjetër. Mësohet se dy termocentralet lundruese janë marrë me qira për një periudhë dy-vjeçare nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me një kosto prej 46 milionë dollarësh. Por, aktivistët kanë pretenduar se anijet e ardhura nga Bangladeshi janë të një teknologjie shumë të vjetër dhe ka 30 vite që janë në funksion, raporton Boldnews.
Mësohet se kosto totale e qirasë për dy TEC-et dhe prodhimit të energjisë për dy vite, sipas KESH, do të jetë rreth 330 milion dollarë. Qeveria ka deklaruar se puna do të niste në fillim të vitit 2023, pasi anijet të ishin fiksuar dhe lidhur me rrjetin elektrik. Por edhe sot në 2024 anijet nuk kanë filluar të prodhojnë energji.
Ndërkohë vetëm disa javë më parë, firma “Petrolifera” ka fituar tenderin 7.2 mln euro për depozitimi e naftës së TEC-eve në Vlorë. Nafta, që është e llojit të rëndë, do të blihet nga vetë Korporata Eleketroenergjetike Shqiptarë përmes një procedurë tjetër. Pak kohë më parë, KESH shpalli një thirrje për shprehje interesi për të siguruar 100 mijë tonë naftë përmes një marrëveshje kuadër. Sipas dokumenteve të depozituara në Agjencinë e Prokurimeve Publike fondi limit i tenderit për blerjen e karburantit është përcaktuar 10 miliardë e 267 milionë lekë ose më shumë se 100 milionë dollarë me kursin aktual.