I gjithë komuniteti shqiptar në Florida, dhe jo vetëm, u trondit pak ditë më parë nga vrasja e Suela Saliajt, 32-vjeç nga bashkëshorti i saj, me të cilin prej dy vitesh jetonin të ndarë. Krimi makabër u krye në prani të vajzës së mitur të çiftit, e cila u rrëmbye më pas për disa orë nga babai i saj, derisa u arrit që të lokalizohej nga policia.

Përfaqësuesi i shoqatës Vatra, Tasim Ruko tha në një intervistë në “Breaking” se shkaku i ngjarjes së rëndë dyshohet të ketë qenë fakti që autori ishte përdorues i lëndëve narkotike. Sipas tij Suela jishte vendosur që ta mbante Renaton larg familjes për shkak të varësisë që ai kishte ndaj drogës.

“Jam shumë mik me babain e Suelës. Shkaku sipas prindërve të Suelës ishte se Renato ka qenë përdorues i lëndëve narkotike dhe sipas tyre kjo ka qenë arsyeja që jetonin veç prej dy vitesh. Suela e kishte nxjerrë nga shtëpia për arsyen se përdorte lëndë narkotike. Ajo do ta merrte sërish në shtëpi nëse do ta ndërpriste këtë ves”, tha Ruko.

Sipas tij, “djali ushtroi dhunë edhe mbi prindërit e tij në orën 2.30 të natës. Pasi ushtroi dhunë mbi prindërit, shkoi te Suela pasi kishte një çelës. Nuk dihet nëse ka qenë droga apo problemet mendore. Në Florida aplikohet dënimi me vdekje nëse nuk provohet që ka probleme mendore. Vajza e vogël ishte prezente kur ai masakroi nënën e saj me thika. Dje ka qenë në gjendje të mirë”.

Ndërkohë që i vetmi shqetësim që Renato Muhaj kishte teksa doli para gjykatës, ishte nëse do të përfaqësohej nga ndonjë avokat. Sipas mediave amerikane, ai u shfaq tejet gjakftohtë në seancë, dhe nuk ka shfaqur asnjë pendesë për krimin e kryer. Para se të vriste Suelën, ai rrahu dhe prindërit e tij, si dhe iu mori telefonat, në mënyrë që ata të mos kishin mundësi që të njoftonin policinë.