Anëtarët e grupit kriminal që u arrestuan të mërkurën në Tiranë gjatë operacionit “Harta”, që shpërndanin lëndë narkotike kokainë, heroinë dhe kanabis, kishin kodet e tyre të komunikimit për të mos rënë në sy, jo vetëm në komunikimet verbale  por edhe në celular. Disa nga kodet që ata përdornin ishin vëllai i madh, vëllai i vogël dhe pluhur zane referuar kokainës apo seqe referuar kanabisit që korrespondojnë me lëndën narkotike që ata shpërndanin.

Vëllai i madh dhe vëllai i vogël lidhet me sasinë e kokainës që do të shpërndahej nga personat e përfshirë. Policia dhe prokuroria ka administruar dhjetëra telefonata për të siguruar fillimisht deshifrimin e kodeve dhe më pas sigurimin e provave për veprimtarinë kriminale.

Zona kryesore e shpërndarjes, sipas burimeve, ishte rreth e përqark gjimnazit “Petro Nini Luarasi” dhe lokaleve përreth. Një pjesë e mirë e anëtarëve të grupeve ishin më herët të skeduar, por për shkak të mungesës së provave nuk ishin arrestuar. Gjatë javëve të fundit, përmes një bashkëpunimi të frytshëm me prokurorinë u bë e mundur vënia e tyre në përgjim dhe dokumentimi i veprimtarisë kriminale.Gjykata e Tiranës dha sot masat e sigurisë për 10 nga personat e arrestuar. Jurgen Hasmataj, Altin Lani, Armaldo Xheladini, Dorjano Çela, Fabian Qoku, Muharem Tarushi, Denis Idrizi, Erion Xhaxho, Polikron Shabani dhe Redi Lolaj janë lënë në burg, ndërkohë 10 të arrestuarit e tjerë do të njihen me masën e tyre të sigurisë, ditën e nesërme.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Report Tv Keti Banushi ka shumë episode përgjimesh ku protagonistë janë të infiltruar nga policia. Në një momentin është një person me emrin e koduar ” Oni”, i cili lejohej ti blinte nga një prej të akuzuarve Mahrem Tarushi lende narkotike te llojit kokainë”. Në dosje jepet përgjimi i komunikimit mes tyre.  Një tjetër episod i trafikut të drogës në dosje tregon një moment kur njëri prej teë infiltruarve të policisë me emrin e koduar ‘Reno’ komunikon me trafikantët dhe kërkon kokainë.