Katër ditë pas shpërthimit tragjik të 1 marsit në Karbunarë të Lushnjës ku humbën jetën babë e bir, Roland dhe Elidon Hoxha dhe u plagosën shtatë të tjerë, Prokuroria e Lushnjës ende nuk ka një përgjigje të saktë se kush është fajtori dhe se çfarë e shkaktoi tragjedinë.
I vetmi “fajtor” i rënë në pranga deri më tani është administratori i “Gjini Construksion”, Leonard Gjini, kompania e të cilit kishte marrë përsipër punimet. Vënien e tij nëopranga e bëri me dije Policia përmes një njoftimi për mediat.
Në njoftim Policia shprehej se Gjini, “me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda”.
Por ajo që mbetet ende një “mister’ për Policinë dhe Prokurorinë e Lushnjës është roli i deputetit të Partisë Socialiste Bujar Çela në kapanonin ku ndodhi tragjedia.
Rezulton se biznesi ishte i regjistruar në emrin e tij, por në dokumentet e Bashkisë së Lushnjës nuk ka asnjë dokument që vërteton se objekti kishte leje ndërtimi.
Këtë e ka bërë me dije dhe kreu i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Lushnjës Robert Kola. Ky i fundit ka deklaruar në polici se nuk ka pasur dijeni për ndërtimin deri ditën kur ndodhi tragjedia.
Në të njëjtën logjikë me të ka qenë dhe juristi i IMT-së. Dhe ky i fundit ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni ndërsa të dy kanë thënë se sistemi online i Bashkisë së Lushnjës ka kohë që nuk funksionon. Një problem i shkaktuar kohë më parë duket se nuk është rregulluar duke e lënë në “errësirë”, departamentin e IMT-së në Lushnjë.
Ndërkohë në dosjen e Prokurorisë për rastin, thuhet se dy oficerë evidentojnë se nisur nga hetimet paraprake ka rezultuar se për objektin ku ka ndodhur shpërthimi deputeti Çela kishin marrë një leje në shtator me afat një vit, por që pas aktit të konstatimit IMT ka rezultuar se ai ka kryer punime ne objekt në tejkalim të lejes së ndërtimit të dhënë nga Bashkia Lushnjë.
Socialisti Çela, magazinën do e ndërtonte në tokën e tij dhe si synim kishte dhënien e objektit me qira për bizneset.
Por si arriti Bujar Çela të ndërtonte? Si askush nga inspektorët nuk e pikasi? Ku ishte Bashkia e Lushnjës?
Këto janë pyetjet që duhet tu përgjigjet momentalisht drejtësia, e cila po heton vdekjen e babë e bir, të cilët humbën jetën tragjikisht mbi vinç. Djali sipas dëshmiratëve është gjetur rreth 40 metra larg vinçit, i gjymtuar, i zhveshur dhe i djegur në trup.
Prokuroria e Lushnjës ende nuk e ka marrë në pyetje deputetin e Partisë Socialiste Bujar Çela.
Ky i fundit i është nënshtruar një ndërhyrje kirugjikale dhe ndodhet ende në Spitalin e Traumës, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Pjesë nga dosja: Nisuar nga hetimet paraprake të kryera nën drejtimin e Prokurorise Prane Gjykates së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Fier ka rezultuar se për objektin ku ka ndodhur shpërthimi, nga Bashkia Lushnje, në muajin shtator 2023 është miratuar leja ndërtimore për objekt 1 kat për tregtimin dhe magazinimin e materialeve te ndryshme në emër te shtetasit Bujar Çela me afat 1 vjeçar, por që pas aktit të konstatimit të datës 02.03,2024 nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit bashkia Lushnje ka rezultuar se subjekti që ka kryer punimet ne objekt ka tejkaluar lejen e ndërtimit të dhënë nga Bashkia Lushnje.
Roland e Elidon Hoxha, babë e bir humbën tragjikisht jetën më 1 mars pas një shpërthimi që rezultoi fatal për ta. Ata po merreshin me çmontimin dhe prerjen e disa profileve të hekurit, proces pune për të cilin përdornin flakën me nxehtësi të lartë që prodhohet nga djegia dhe përzierja e oksigjenit me Acetilenin. Në një moment kavo e vinçit ka prekur në telat e tensionit të lartë duke krijuar shpërthimin. Roland Hoxha iu gjet i karbonizuar në vinç, ndërsa djali disa metra më tutje, po ashtu i djegur në trup. Nga ngjarja mbetën të plagosur dhe shtatë persona të tjerë, mes tyue deputeti i Partisë Socialiste Bujar Çela.